Spektakël, urrejtje dhe emocione

Futboll

Spektakël, urrejtje dhe emocione

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 14:56
Pamje nga një ndeshje

Fundjava e nxehtë po afron. Klasikja e madhe e futbollit botëror Barcelona-Real Madrid do të “ngrijë” globin dhe për 90 minuta i gjithë komuniteti i sportit do të jetë i ndarë.

Në stadiumin olimpik “Lluis Companys” do të matin forcat dy nga skuadrat më të mëdha në historinë e futbollit. Ndeshja e së shtunës do të jetë dueli numër 255 mes tyre. Reali i Madridit ka 2 fitore më shumë se katalanasit në të gjitha kompeticionet.

102 takime kanë nxjerrë fitues “Los Blancos”, teksa 100 triumfe mbajnë emrin e Barcelonës. Me 52 sfida të mbyllura në barazim.

Si në çdo vit, ndeshja pritet me shumë interes ku diferencat në këtë fazë të sezonit nuk janë të mëdha. Ne renditje Reali kryeson me 1 pikë më shumë se Barcelona, çka do e bëjë duelin mes tyre akoma dhe më shumë emocionues.

Klasikja do e gjejë skuadrën e Barcelonës me një seri mungesash. Lewandowski, Raphinha, Pedri dhe Frenkie De Jong nuk do të jenë të gatshëm për trajnerin Xavi Hernandez për shkaqe dëmtimesh.

Ndërkohë nga ana tjetër Reali vjen me organikën e plotë në këtë përballje. Me djemtë e Carlo Ancelottit që do të synojnë 3 pikët për të nisur arratinë në tabelën e klasifikimit.

Takimi mes skuadrave nuk vjen në momentin më të mirë të marrëdhënieve mes dy klubeve. Çështja “Negreira” ka trazuar opinion spanjoll dhe ka bërë që Reali t’i kërkojë Federatës sanksione kundrejt katalanasve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat