Kur Fadil Vokrri dhe Fadil Muriqi shtangën Hajdukun e Zllatko Vujoviqit në Split!

Futboll

Kur Fadil Vokrri dhe Fadil Muriqi shtangën Hajdukun e Zllatko Vujoviqit në Split!

Nga Më 19 tetor 2023 Në ora: 15:17
Fadil Vokrri dhe Fadil Muriqi

Gjeneratave të vjetra dhe gjeneratës mesatare, si sot i kujtohet ndeshja në stadiumin “Polud” mes Hajdukut të Splitit dhe Prishtinës, në kuadër të javës së 20-të të Ligës së Parë Federative të ish Jugosllavisë në futboll.

Prishtina kishte barazuar me rezultat 2:2 me Hajdukun.

Tandemi Fadil Vokrri dhe Fadil Muriqi shënuan dhe shtangën Splitin, pa e harruar edhe Kujtim Shalën që nxori penalltinë dhe ishte tejet i papërshtatshëm sidomos për Petroviqin!

Pikërisht me 15 mars të vitit 1986, ditë e shtunë, një javë para pranverës, Prishtina e la gojëhapur Hajdukun e Zllatko dhe Zoran Vujoviqit, Blazh Slishkoviqit, Aljosh Asanoviqit etj.  

Qysh në minutën e 2-të Sahit Kelmendi shkaktoi penallti pa nevojë dhe Asanoviq e ka shndërruar në gol. 

Hajduku – Prishtina 2:2

Stadiumi “Polud”, Split. 
Shikues: 5.000.
Gjyqtar: Popev.
Për Hajdukun shënuan Aljosh Asanoviq (3'-  nga penalltia), Blazh Slishkoviq (50') dhe për Prishtinën Fadil Muriqi (30' - nga penalltia) e Fadil Vokrri (72').
Hajduku; Varvodiq 6, Milush 6, Petroviq 5, Gudel 6 (Deveriq), Vuliq 6, Çeliq 6, Zllatko Vujoviq 7, Slishkoviq 7, Zoran Vujoviq 6, Asanoviq 7 dhe Jerolimov 6.
Prishtina: Neshet Zhaveli 7, Favzi Rama 7, Shefqet Sinani 6, Sahit Kelmendi 8, Skënder Shengyli 7, Rifat Mehinoviq 7, Kujtim Shala 7, Rafet Prekazi 7 (Zoran Llukiq), Fadil Vokrri 8, Fadil Muriqi 8 dhe Miodrag Çirkoviq 6 (Arbnor Morina).

 “Rasti i vendasve për të shënuar në minutën e 13 ishte kuriozitet i vërtetë. 

Një goditje e fortë e splitasve dhe topi qëlloi së pari shtyllën e majtë pingule të Zhavelit, u dëbua me furi në anën e kundërt, qëlloi shtyllën tjetër dhe prapë u dëbua në drejtim të kundërt, por për fat të prishtinasve jashtë porte", ka shkruar gazetari i mirënjohur (tani i ndjerë) Veli Vraniqi për sportin e “Rilindjes” me 16 mars të vitit 1986.

"Diku në gjysmëpjesën e Hajdukut topin e mori Fadil Muriqi, i cili ia pasoi gjatë për mrekulli Kujtim Shalës e ky si shigjeta depërtoi kah porta e splitasve, hyri në zonë të rreptësisë, por Petroviq nuk pati dalje tjetër, e ndali me duar, e rrëzoi, ndërsa Popevi edhe kësaj radhe ishte në krye të detyrës dhe pa u hamendur fare me gisht tregoi drejt pikës së bardhë.

Fadil Muriqi u nis kah topi dhe me mjeshtëri, pasi e detyroi portierin Varvodiq të niset në anën e djathtë e dërgoi topin rrëmbyeshëm në këndin e kundërt të sipërm dhe Prishtina barazoi rezultatin 1:1”, shkruan më tej.

Në minutën e 72-të kapiteni Fadil Vokrri me një lëvizje dinake ka barazuar rezultatin (2:2).  

Pas javës së 20-të kryesonte Cërvena Zvezda me 29 pikë, pasonin Partizani 29, Velezhi 25, Dinamo e Zagrebit 22, Prishtina 22, Hajduku 21, Sarajeva 20, Dinamo e Vinkovcit 20 pikë etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat