Levi dhe ndjenjat e përziera për Shqipërinë

Futboll

Levi dhe ndjenjat e përziera për Shqipërinë

Më: 11 tetor 2023 Në ora: 17:39
Levi

Stanislav Levi në një intervistë për mediet çeke, i pyetur për të kaluarën në Shqipëri, nuk është kursyer me detajet e dhëna duke lënë të kuptohet se përfaqësuesja e tij duhet të përgatitet për gjithçka në transfertën në “Air Albania”.

Trajneri i cili udhëhoqi Skënderbeun drejt titullit kampion në sezonin 2011/2012 në fjalën e tij kurrë nuk tregon shenja pendese për zgjedhjen e bërë, e cila e dërgoi në juglindje të vendit tonë edhe pse gjatë të gjithë kohës rrëfen episode të veçanta. “Shqiptarët kanë ëndrra të mëdha, por marrin ‘zjarr’ shumë shpejt”, thotë 65-vjeçari në bashkëbisedimin me portalin sport.cz.

Aventura e tij në stolin e korçarëve nis në tetor të 2011-ës, kur Slavia e Pragës i premtoi vendin e trajnerit. Në ato ditë ndodhi diçka dhe ekipit zgjodhi një tjetër emër. Levi i bezdisur nga ky fakt kishte rekomanduar menaxherin që të gjente një ekip tjetër në të katër cepat e globit. “Nuk e di se çfarë ndodhi, por besoj se ata u penduan për atë zgjedhje dhe u tërhoqën kështu mua mu desh që të zgjidhja rrugën time”, tregon 65-vjeçari.

“Për mua ishte një eksperiencë fantastike pasi fitova një titull kampion. Jo shumë kohë më pas mora edhe një ofertë për të drejtuar kombëtaren shqiptare, por presidentit të Skënderbeut nuk i pëlqente ideja që unë të mbuloja dy poste njëkohësisht”, tregon Levi.

Mes të tjerash ish-trajneri i Skënderbeut përshkruan edhe klimën e futbollit në Shqipëri. “Euforia për futbollin në atë vend është diçka ndryshe. Tani ata e shikojnë se janë shumë pranë kualifikimit në Europian. Por ky fakt mund të jetë negativ pasi mund të ushtrojë presion më shumë se ç’duhet mbi ekipin vendas”, tha Levi.

Në bashkëbisedimin e tij 65-vjeçari tregon se alternativa e dytë mund të ketë më pak mundësi që të ndodhë pasi Shqipëria ka lojtarë me shumë eksperiencë. “Ata nuk kanë përse të sulmojnë që nga minuta e parë, por gjithashtu nuk mund të bëjnë ndeshje vetëm në mbrojtje apo në pritje të rasteve të goditjeve standarde”, analizon Levi.

Mes të tjerash ai tregon edhe anën “e errët” të futbollit në vendin tonë. “Lojtarët tanë duhet të përgatiten për gjithçka në Shqipëri. Mbase mund të shikojnë nëse fluturojnë domate ose portokalle, por nuk është problem. Unë një herë u godita me një gur të ngjeshur me dëborë. Më kanë goditur edhe në mjekër teksa po jepja një intervistë pas një fitoreje jashtë fushe. Aty kuptova se pas ndeshjeve duhet të nxitoja në dhënien e intervistave dhe të shkoja menjëherë në dhomat e zhveshjes”, tregon ish-trajneri i Skënderbeut dhe Flamurtarit.

“Ju tregoj edhe një skenë që na ndodhi në Krujë. Përpara takimit një punonjës i rendit zbrazi kallashnikovin e tij në ajër. Më vonë u kuptua se ai kishte qenë nën efektin e narkotikëve. Pak çaste më parë trajneri i portierëve përplasi në dysheme asistentin tim, Zdenek Beçka. Në atë moment unë u habita dhe s’po kuptoja se çfarë po ndodhte, por kur dëgjuam të shtënat gjithçka kishte kuptim. Gjesti i trajnerëve të portierëve u kuptua vetëm më vonë se ishte për të mbrojtur asistentin”, tregon Levi.

Në fund të rrëfimit të tij Levi tregon se tani gjërat kanë ndryshuar dhe se në “Shqipëri është investuar shumë në futboll dhe infrastrukturë”. Madje ai në fund zbulon se ruan ende kontaktet me presidentin e Skënderbeut dhe fton të gjithë bashkëkombësit e tij që të vendosin të kalojnë disa ditë pushimi në Shqipëri. “U rekomandoj të gjithëve pushime në Shqipëri. Deti, hotelet modern dhe ushqimi janë disa aspekte që tregojnë shumë mbi atë vend”, përfundon Levi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat