Zekiç drejt largimit, në Teuta-Erzeni bëhet “apeli” i fundit

Futboll

Zekiç drejt largimit, në Teuta-Erzeni bëhet “apeli” i fundit

Më: 8 tetor 2023 Në ora: 11:56
Zekiç

Java e tetë e “Abissnet Superiore” do të mbyllet sot me tri ndeshjet e fundit, të cilat do të luhen në Laç, Tiranë dhe Durrës.

Takimi i parë do të jetë ai mes Laçit dhe Skënderbeut. Vendasit janë me moral të lartë pasi kanë mundur Tiranën vetëm pak ditë më parë. Fitore kjo, e cila u lejon të qëndrojnë mes katër më të mirave të kampionatit dhe të kalonin pas shpine humbjet radhazi të pësuara përballë Egnatias dhe Dinamos.

Sa i përket Skënderbeut gjithçka po shkon mirë në këtë start të kampionatit pasi ekipi në fjalë e ka grumbulluar 12 pikë në 7 takime.

Sytë e të gjithë Shqipërisë do të jenë në “Arenën e Demave” ku Partizani pret Kukësi e “ringjallur” nga Stavri Nica. Me ardhjen e teknikut në fjalë ekipi i Kukësit ka grumbulluar 7 pikë në tre ndeshjet e fundit. Sa u përket vendasve në këtë ndeshje nuk do të luhet vetëm futboll. Prej ditësh mediat kroate kanë raportuar se Zoran Zekiç po kërkon të “lirohet” prej detyrimeve që ka me Partizanin pasi në vendlindje e pret ekipit i Osijekut.

Paralelisht (18:00) me këtë duel do të luhet edhe në Durrës, ku Teuta dhe Erzeni do të ndeshen në “Niko Dovana”. Një sfidë direkte për t’iu larguar zonës së ftohtë të klasifikimit, teksa të dyja ekipet kanë kuotë të njejtë pikësh, me nga 8-të, por “djemtë e detit” kanë dhe një ndeshje më shumë se shijakasit për të luajtur.

Ndeshjet

14:00 Laçi-Skënderbeu

18:00 Partizani-Kukësi

18:00 Teuta-Erzeni

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat