Dinamo del me pikë të plota nga Laçi

Futboll

Dinamo del me pikë të plota nga Laçi

Nga: K.G.. Më: 28 shtator 2023 Në ora: 17:40
Dinamo

Dinamo fiton me rezultatin 0-1 në transfertë ndaj Laçit dhe merr fitoren e dytë në këto gjashtë javë të para të Abissnet Superiore. “Blutë” e trajnerit Luigi Di Biagio iu falën një goli të Baton Zabërgja në minutën e 12-të.

Sulmuesi 22-vjeçar i gjendur fare pranë portës së mbrojtur nga portieri Dajsinani nuk e pati të vështirë të realizonte duke i falur avantazhin të tijve. Në vijim, Laçi tentoi të reagoi dhe u hodh në sulm për të gjetur golin e barazimit.

Në minutën e 31-të pas një kontakti në zonë,

Manellari pretendon për penallti dhe në fakt arbitri Ferataj akordon 11-metërshin, por gjithçka u anulua pasi më herët sulmuesi Sobowale ishte në pozicion të parregullt.

Në fundin e pjesës së parë, Denisson për pak sa nuk shënon edhe golin e dytë për Dinamon, me brazilianin që u ndal nga reflekset e Dajsinanit. Në fraksionin e dytë, skuadra e drejtuar nga Skerdi Bejzade sulmoi me më shumë këmbëngulje, por portieri i Dinamos, Rexhepi rezistoi.

Në të 64-tën, Behiratche u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke lënë të tijtë në disavantazh numerik, por sërish “Blutë” rezistuan dhe e mbajtën të praprekur portën deri në fund duke marrë një fitore shumë të rëndësishme pas dy humbjeve radhazi.

Pas kësaj ndeshje, Dinamo ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve në vend të tetë, ndërsa Laçi mbetet me shtatë pikë në vend të shtatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat