Sevilla merr fitore të thellë

Futboll

Sevilla merr fitore të thellë

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 22:38
Sevilla

Sevilla ka mposhtur me rezultatin 5-1 Almerian, në ndeshjen e vlefshme për javën e shtatë të La Ligas, duke u rikthyer te fitorja pas barazimit pa gola me Osasunën.

Ekipi i drejtuar nga spanjolli Jose Luis Mondilibar ka dominuar një ndeshje, e cila praktikisht u mbyll që në pjesën e parë, pasi andaluzët shënuan plot tre herë brenda 45 minutave të para.

Serinë e golave për Sevillan e hapi Youssef El-Nesyri, i cili shënoi në minutën e 7′, ndërsa një minutë më vonë Dodi Lukebakio dyfishoi shifrat për andaluzët, teksa Suso shënoi golin e tretë në minutën e 38′.

Pjesa e dytë nisi me gol për Sevillan, me Eric Lamela i cili shënoi në minutën e 51′ pas një asisti nga Pedrosa.

Almeria nga ana e saj realizoi golin e “nderit” në minutën e 71′ me anë të sulmuesit kolumbian, Luis Suarez.

Serinë e golave e mbylli  talenti spanjoll Kike Salas, i cili në minutat shtesë shënoi golin e pestë për ekipin e tij.

Me këtë fitore, Sevilla shkon në kuotën e shtatë pikëve duke u ngjitur në vendin e 11-të në renditje.

Ndërsa në anën tjetër, Almeria ngelet në vendin e fundit me vetëm dy pikë të grumbulluara pas shtatë ndeshjesh në La Liga.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat