Memolla: Kreu nuk është rastësi

Futboll

Memolla: Kreu nuk është rastësi

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 13:55
Hysen Memolla

Hysen Memolla, “djali i shtëpisë” tek Egnatia, i cili zhvilloi një ndeshje pozitive kundër Laçit me inkursionet e tij dhe me ashpërsinë në mbrojtje, në një prononcim për “Panorama Sport”, tregon atmosferën te klubi i vendlindjes. Memolla shprehet se është në formë maksimale, teksa shton se Egnatia është një skuadër e ndërtuar për të synuar titullin kampion.

Mbrojtësi flet edhe për “konkurrencën” me Xhemajlin dhe Malotën në qendrën e mbrojtjes.

Memolla, u rikthyet titullar dhe asistuat për Duamenën te goli i parë kundër Laçit, si ndiheni?

Është gjithmonë kënaqësi kur bëhesh protagonist pozitiv për ekipin, pavarësisht nëse luan titullar apo jo. Realisht, u ndjeva mirë teksa dëgjoja ovacionet e tifozëve në shkallët e stadiumit. Më shumë se asisti im, rëndësi kanë tri pikët kundër Laçit, që vinte pas dy fitoreve radhazi dhe ishte një kundërshtar shumë i rrezikshëm.

Çfarë forme fizike gëzoni aktualisht. Jeni në maksimumin tuaj?

Gëzoj një formë optimale, pasi stërvitem rregullisht dhe nuk kam pasur dëmtime gjatë gjithë fazës përgatitore dhe këtij fillimsezoni. Fokusi im është maksimal dhe mundohem t’i marr më të mirën vetes sa herë që trajneri më ka aktivizuar.

Sa e lehtë është të tregoni aftësitë tuaja kur keni në të njëjtin repart Malotën dhe Xhemajlin?

Janë dy futbollistë me eksperiencë, që i bëjnë punët më të thjeshta për gjithsecilin prej nesh. Malota dhe Xhemajli janë garanci për ne, por Egnatia ka në tërësi një grup cilësor, ku çdokush ka rëndësinë e vet.

Referuar merkatos, por edhe formës së rivalëve, a është kjo Egnatia për titull?

Presidenti Agim Demrozi ka investuar prej vitesh që Egnatia të vinte këtu ku është. Skuadra i ka të gjitha mundësitë për t’u shpall kampion. Infrastruktura sportive dhe përbërja e ekipit me lojtarë cilësorë, na bëjnë të kërkojmë maksimumin. Edhe stafi drejtues, trajnerët po bëjnë një punë të shkëlqyer dhe fakti që jemi në vendin e parë nuk është rastësi. Ne punojmë çdo ditë dhe përpiqemi të jemi me këmbë në tokë.

Duke qenë se në të shkuarën keni veshur fanellën kuqezi, cili prej shokëve të skuadrës mund të luajë në të ardhmen me Kombëtaren?

Për të qenë korrekt, janë disa. Kemi lojtarë me shumë cilësi, të cilët mendoj se shumë shpejt mund t’i shohim në kampionatet elitare të Europës. Kam pare që edhe ekipet e tjera kanë talente, që pse jo mund të luajnë për ngjyrat e ekipit kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat