Duka pret në takim Ambasadorin e Arabisë Saudite, Hifzi

Futboll

Duka pret në takim Ambasadorin e Arabisë Saudite, Hifzi

Më: 13 shtator 2023 Në ora: 21:06
Pamje nga takimi

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka priti në një takim pune Ambasadorin e Arabisë Saudite, Faisal Ghazi Ismail Hifzi. Në takimin e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”, Duka dhe Ambasadori Hifzi diskutuan së bashku disa çështje të ndryshme lidhur me zhvillimin e futbollit.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar e njohu Hifzi me investimin madhor të realizuar në ‘Shtëpinë e Futbollit’, ku ndodhen selia e Federatës së Futbollit, së bashku me dy stadiumet, me qendrën e fizioterapisë dhe palestrën, që kanë hapur dyert për stërvitjen e ekipeve Kombëtare prej disa muajsh.

Nga ana tjetër, Ambasadori i Arabisë Saudite uroi Presidentin Duka për rezultatet pozitive të Kombëtares së fundmi dhe vlerësoi investimet e rëndësishme të FSHF-së në kuadër të përmirësimit të mëtejshëm të futbollit shqiptar.

Shefi i misionit Diplomatik të Arabisë Saudite u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar në të ardhmen me Federatën e Futbollit në të mirë të futbollit.

Gjatë takimit, Presidenti Duka shkëmbeu mendime me diplomatin arab për projekte të ndryshme për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit shqiptar dhe atij arab, duke qenë se edhe në Arabinë Saudite po bëhen investime kolosale në drejtim të përmirësimit të futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat