Shqipëria e mrekullive

Futboll

Shqipëria e mrekullive

Më: 13 shtator 2023 Në ora: 14:26
Shqipëria

Muaji shtatori “foli” i gjithi shqip, me Kombëtaren që tashmë është shumë pranë Europianit, Gjermani 2024, por jo vetëm kaq, kjo pasi edhe “Shpresat” kanë bërë një nisje fantastike, një nisje që jep shpresë.

“Kuqezinjtë” triumfuan edhe në “Elbasan Arena” përballë Rumanisë, në një sfidë të jashtëzakonshme, me skuadrën e Alban Bushit që përmbysi rezultatin dhe gjeti forcën e duhur për të dalë nga ai moment i vështirë në fillimin e pjesës së dytë, me dy gola disavantazh.

Armenia dhe Rumania ishin dy pengesat e para që “Shpresat” kaluan në këtë muaj, ndërsa Shqipëria kryeson Grupin E me pikë të plota, gjashtë të tilla dhe tashmë kjo nisje jep sinjale pozitive.

Është vetëm fillimi, por një fillim i tillë është doza më e mirë për të rritur akoma edhe më shumë besimin, sepse ka ende ndeshje përpara, me kualifikueset që sapo kanë nisur.

Një muaj vërtet i gjithi “kuqezi”, por edhe muaji i supergolave, duke nisur nga Bajrami dhe Asani e deri te Medon Berisha.

Përpos golave, edhe Shpresat japin garanci nga ndeshja në ndeshje, madje duke i dalë kundër edhe historisë.

Dikur, Shqipëria ishte skuadra që pësonte në fund edhe pas ndeshjeve të mirë interpretuara në fushën e lojës, por sot një kapitull i ri ka nisur.

Alban Bushi sot disponon një grup me shumë lojtarë premtues, me perspektivë dhe me një ndërthurje mbresëlënëse, me lojtarë të cilët vijnë nga kampionatet më të fortë të Europës, por edhe nga kampionati shqiptar.

Shumë emra, shumë cilësi dhe tani edhe rezultate, diçka për të cilën kemi vuajtur, por tani duket se e kaluara është arkivuar aq thellë sa nuk e shqetëson të tashmen, realitetin që çdo shqiptarë anë e mbanë botës po e shijon në maksimum.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat