Shqipëri - Poloni, historia favorizon polakët

Futboll

Shqipëri - Poloni, historia favorizon polakët

Më: 9 shtator 2023 Në ora: 14:55
Pamje nga një ndeshje

Shqipëria dhe Polonia kanë një histori 53-vjeçare takimesh midis tyre, me Poloninë dukshëm superiore në rezultatet e arritura.

Nga 12 ndeshje të luajtura, përfshirë edhe dy miqësore, kuqezinjtë nuk kanë fituar asnjëherë.

Ata kanë arritur vetëm dy barazime, 1-1 më 1971 dhe të famshmin 2-2 më 1984, atëherë kur, ashtu si sot, dy skuadrat luftonin për të kaluar grupin.

 Një nga skuadrat më të mira të viteve ’70, Polonia fitoi përballjen e parë me Shqipërinë 3-0 më 1970, për kualifikueset e Euro ‘72, ndërsa në Tirana Medin Zhega shënoi në barazimin 1-1.

Me polakët jemi ndeshur 12 herë, por në kujtesën e tifozëve shqiptarë janë stampuar ato dy për kualifikueset e botërorit meksikane, kur Shqipëria për herë të parë synonte kualifikimin.

Përballë një skuadre yjesh, Shqipëria barazonte 2-2 në Mielec, falë golit me thembër të Bedri Omurit dhe atij të Agustin Kolës.

Ëndrra u shua një vit më pas në Tiranë, kur Boniek shënoi golin e vetëm në portën e Mustës.

Që atëherë kemi njohur vetëm humbje, më e thella dy vjet më parë, 4-1 në Poloni.

Të dielën në mbrëmje, Shqipëria synon fitoren, jo thjesht për të thyer akullin ndaj një kundërshtari të fortë, por mbi të gjitha për të hedhur hapin e madh drejt Gjermanisë.

Sipas FSHF biletat për takimin në "Air Albania" janë shitur të gjitha. Do të jenë 20 mijë tifozë për të mbështetur kuqezinjtë në këtë sfidë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat