Manchester United kompleton mesfushën, firmos edhe me Amrabat

Futboll

Manchester United kompleton mesfushën, firmos edhe me Amrabat

Më: 1 shtator 2023 Në ora: 17:13
Amrabat Amrabat

Manchester United godet në orët e fundit të merkatos.

Pas shumë tratativash ‘Djajtë e Kuq’ më në fund kanë siguruar firmën me Sofyan Amrabat.

Marrëveshja me mesfushorin ishte arritur prej disa javësh, por në paraditen e së premtes gjigantët anglezë përmbyllën edhe detajet e fundit të akordit me Fiorentinën dhe kështu marokeni bëhet transferimi i pestë për Man. United në këtë dritare transferimesh pas Mason Mount, Andre Onana, Rasmus Hojlund dhe Altay Bayindir.

Klubet kanë rënë dakord për 10 milionë euro në formë huazimi me të drejtë blerjeje në fund të sezonit.

Nëse Djajtë e Kuq dëshirojnë të zgjasin bashkëpunimin me mesfushorin përtej Qershorit të 2024 atëherë duhet t’i paguajnë klubit violë dhe 20 milionë euro të tjera, plus 5 milionë në formë bonuesh.

Për Manchester United konsiderohet si një transferim i rëndësishëm në fundin e afatit veror të transferimeve. Sofyan Amrabat do të largojë përgjegjësinë e madhe mbi supe të Casemiros në ndërprerjen e aksioneve në mesfushë, si dhe alternativat rriten ndjeshëm për Ten Hag me afrimin e marokenit.

27-vjeçari shkëlqeu në Kupën e Botës me Marokun që avancoi deri në fazën gjysmëfinale dhe ka raporte të shkëlqyera me Erik ten Hag, pasi kanë punuar së bashku në të kaluarën edhe në kampionatin holandez me skuadrën e Utrecht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat