Partizani “mbush pushkën” edhe për miliona euro

Futboll

Partizani “mbush pushkën” edhe për miliona euro

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 12:51
Partizani

Partizani ka mbërritur në një pikë historike sa u përket aventurave në Europë.

Të kuqtë, për herë të dytë në historinë e tyre, janë kualifikuar në fazën “play off” të një kompeticioni europian dhe tashmë janë vetëm dy hapa larg arritjes historike të kalimit në grupet e Ligës së Konferencës.

Përballë është Astana në dy beteja që kërkojnë një sakrificë të madhe, por që shpërblimi do të mbartte shumë prestigj për klubin dhe kampionatin, pa lënë mënjanë milionat aq të dëshiruara.

Partizani i Gazment Demit, i kthyer në elitë në vitin 2013, është kualifikuar sistematikisht në Europë dhe pas çdo arritjeje të tillë, ëndrra e madhe ka qenë kalimi në grupe, çka do ta ngjiste klubin në një tjetër stad dhe do t’i jepte Kategorisë Superiore një tjetër pamje në arenën e madhe të futbollit të kontinentit të vjetër.

Por për ta bërë këtë, Partizani duhet të përtypë disa probleme të shfaqura në ndeshjet e kaluara në sfidat europiane. Fillimisht ndaj një skuadre si Astana, Partizanit i duhet më shumë rezistencë në pjesën defensive.

Në këtë aspekt problemet më të mëdha u shfaqën me BATE Borisovin, ku në shumë pak raste të krijuara nga kundërshtari, pësuan dhe u përshëndetën plot hidhërim me Champions-in. Gjithashtu, në sulm të kuqtë duhet të jenë më “kirurgjikalë”, pasi vështirë që ndaj Astanës do të krijojnë aq raste sa në gjashtë përballjet e shkuara.

Në ofensivë kampionët tanë kanë humbur shumë emra. Mba është i dëmtuar, Mensah gjithashtu, teksa Da Silva është lënë jashtë. Por nuk ka shumë vend për t’u “qarë”, sepse në skuadër aktualisht është Grezda, lojtari më me eksperiencë europiane, Cara, goleadori i Europës, si dhe të rinj si Keko e Bintsuka, të cilëve u “vlon gjaku” për të treguar veten.

Pavarësisht pengesave, paratë janë motivimi tjetër i madh i këtyre dy betejave. Në rast kualifikimi, Partizani do të arkëtonte 3.69 milionë euro, edhe në rast se mundet në të gjitha ndeshjet në grupe. Me siguri bonuset për lojtarët do të ishin të konsiderueshme dhe reklama akoma më gjigante. Sot Partizani ka një takim të rëndësishëm me historinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat