Komuna e Tetovës sqaron çështjen e stadiumit

Futboll

Komuna e Tetovës sqaron çështjen e stadiumit

Nga: K.G. Më: 17 gusht 2023 Në ora: 16:23
Stadiumi në Tetovë

Komuna e Tetovës i ka bërë me dije skuadrës së Teteksit dhe klubit të femrave Lubotenit, se stadiumi i qytetit do të shfrytëzohet vetëm për ndeshjet e kampionatit. 

Ditë më parë Teteksi dhe Luboteni kanë paralajmëruar protestë, ndërsa sot me komunikatë ka dalë edhe Komuna e Tetovës, në të cilën ndër të tjera thuhet se në stadiumin e qytetit do të zhvillohen ndeshje nga Kampionati i Maqedonisë dhe Kupa e Maqedonisë, si dhe ndeshje ndërkombëtare.

Çka do të thotë se Teteksi nuk do të marrë leje, si skuadër e ligës së dytë, për të luajtur në stadium dhe se vetëm Shkendija do të shfrytëzojë atë pasi që garon në rangun elit.

“Komuna e Tetovës gjithmonë ka vepruar në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme kur është fjala për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve. 

Reagimi i tyre i fundit ishte krejtësisht i panevojshëm dhe i paqëndrueshëm. 

Ka pasur një takim me përfaqësues të klubeve dhe është arritur një konsensus i qartë.

Stadiumi i qytetit do të përdoret vetëm për ndeshjet e futbollit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut dhe ndeshjet ndërkombëtare të futbollit, por edhe për ndeshjet me rëndësi të veçantë, si gjysmëfinalet dhe finalet e Kupës së Maqedonisë.

Nga ky aspekt, komuna e Tetovës është e vendosur të garantojë që ky stadium të pajiset me të gjitha kushtet dhe standardet e nevojshme, si një objekt modern dhe funksional që do të plotësojë të gjitha kërkesat e një arene të nivelit të lartë sportiv në qytetin tonë.

Për skuadrat që performojnë në ligat e ulëta, komuna ka një qëndrim të qartë: do të rregullohen fusha të tjera të pajisura me të gjitha kushtet e nevojshme për gara sportive.

Kështu një fushë do të ndërtohet pranë Qendrës Sportive në qytet dhe një tjetër në fshatin Saraqinë.

Të dy terrenet do të pajisen me infrastrukturën e nevojshme, duke përfshirë një dhomë zhveshjeje për ekipet dhe zyra për klubet.

Me këto hapa, Komuna e Tetovës konfirmon përkushtimin e saj për promovimin e sportit në nivel të lartë, transparencë dhe drejtësi për të gjitha komunitetet që jetojnë në qytetin tonë”, reagon komuna.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat