Vllaznia përgatitet për Ligën e Kampioneve

Futboll

Vllaznia përgatitet për Ligën e Kampioneve

Më: 16 gusht 2023 Në ora: 11:41
Vllaznia

Vllaznia do të luajë ndeshjet në raundin e parë të grupit të 7-të në Women’s Champions League.

Tashmë UEFA ka vendosur datat, oraret dhe stadiumin ku do të luhen këto sfida. Në raundin e parë të këtij kompeticioni marrin pjesë 41 skuadra, të ndara në 11 grupe, ku 8 prej tyre janë me nga katër skuadra, ndërsa 3 prej tyre me tri ekipe.

E para ndeshje do të jetë ajo mes Valur (Islandë) dhe Fomget Gençlik (Turqi), që do të luhet më 6 shtator në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke nisur nga ora 10:00.

Po më 6 shtator dhe në të njëjtin stadium “Loro Boriçi” do të zhvillohet edhe sfida tjetër mes Vllaznisë dhe Hajvalisë (Kosovë).

Dy fitueset e dala nga këto dy ndeshje do të luajnë një finale me njëra-tjetrën dhe vetëm një prej tyre do të avancojë për në raundin e dytë. Ndërkohë, që edhe dy skuadrat humbëse do të përballen në një sfidë të fundit për të kompletuar renditjen e grupit.

Ndeshja mes ekipeve fituese të dy çifteve do të luhet më 9 shtator në Shkodër, duke filluar nga ora 18:00, ndërkohë që përballja mes dy ekipeve humbëse do të luhet në të njëjtën datë dhe starton në orën 10:00.

Zhvillimi i këtyre ndeshjeve në Shqipëri është një avantazh për Vllazninë, që synon të përsërisë suksesin dhe të kualifikohet në fazën e grupeve të UEFA Women’s Champions League edhe këtë edicion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat