Guardiola: Kurora e trefishtë, një herë në jetë

Futboll

Guardiola: Kurora e trefishtë, një herë në jetë

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 18:25
Guardiola

Pep Guardiola thotë se përsëritja e tripletës së sezonit të kaluar është një detyrë “e pamundur” për Mançester Sitin përpara ndeshjes hapëse të Premier Ligës kundër Bërnlejt.

Siti fitoi titullin, Kupën FA dhe Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar duke u bërë skuadra e parë angleze që prej Mançester Junajtidit në 1999 që fitoi ato tre trofe në të njëjtin sezon.

Asnjë klub në Premier Ligë nuk ka fituar katër tituj radhazi, por Guardiola mendon se nuk është e mençur të fillojë të flasë për garën për titull në javët e nisjes së sezonit. “Unë nuk mendoj se është e mundur të bëjmë atë që bëmë sezonin e kaluar. Ndodh një herë në jetë”, tha Guardiola në konferencën e tij për shtyp.

“U thashë lojtarëve ‘harrojeni’. Ne kemi ngjitur malin më të lartë sezonin e kaluar me atë që kemi bërë. Por dy ditët e fundit kemi zbritur nga mali me të gjithë të tjerët, me të njëjtat qëllime.

Do të ketë shumë vështirësi për t’u ngjitur në pjesën më të lartë të mundshme të malit.

Futbolli ynë, sjelljet dhe mentaliteti do të diktojë se si do të jetë sezoni ynë. Ajo që kemi bërë mbetet në zemrën dhe në mendjen tonë, sa bukur ishte, por ka mbaruar.

Çdo sezon fillon nga zero.

Por historia flet vetë: kur arrin atë që kemi bërë, është e pamundur të përsëritet. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe shpresojmë se tifozët tanë dhe ne mund ta kuptojmë sa e vështirë ishte dhe thjesht të përpiqemi të marrim një rezultat të mirë kundër Bërnlejt, kundër Njukasëllit dhe më pas Shefilld Junajtidit, ndeshje pas ndeshje. Jo më shumë se kaq”.

“Qytetarët” e ngrenë siparin me transfertën në Bërnlej, skuadrën që drejtohet nga ish-kapiteni i Guardiolës, Vinsent Kompani dhe që dominoi Championship-in sezonin e shkuar:

“Normalisht, ndeshjet e para janë të vështira në vetvete, veçanërisht me skuadrat e sapongjitura, sepse nuk kanë asgjë për të humbur dhe kanë energji dhe ëndërr për të pasur një sezon të mirë”, tha katalanasi.

Përveç kësaj, Vini na njeh shumë mirë, ai bëri një punë të jashtëzakonshme sezonin e kaluar. Ai ka ndryshuar plotësisht mënyrën se si luante Bërnlej në vitet e fundit me Shon Dajçin dhe e shkatërroi Championship-in”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat