Vllaznia në prag të ëndrrës Europiane, kuqeblutë për një mbrëmje të madhe në Belfast

Futboll

Vllaznia në prag të ëndrrës Europiane, kuqeblutë për një mbrëmje të madhe në Belfast

Më: 13 korrik 2023 Në ora: 08:33
Vllaznia

Shkodra e tërë dhe jo vetëm, këtë të enjte do të jetë me sytë aty për të parë premierën europiane të Vllaznisë, një biletë në radhën e parë të stadiumit në Irlandën e Veriut, ua garanton në shtëpinë tuaj SuperSport që do të transmetojë drejtëpërdrejtë aventurën e kuqebluve në Conference League.

Skuadra e Migen Memellit luan në transfertë përballë Linfield dhe kurioziteti për të parë këtë Vllazni është i jashtëzakonshëm, jo vetëm mes tifozerisë kuqeblu për vetë faktin se skuadra shkodrane i është nënshtruar një rindërtimi masiv këtë verë, me shumë largime dhe afrime.

Migen Memelli arkitekti i Vllaznisë së re në pjesën më të madhe të saj, punon prej ditësh për të ndërtuar një skuadër që të përfaqësojë fytyrën e tij, ku natyrisht spikat grinta dhe dëshira për të luftuar.

Pavarëisht largimeve të emrave me peshë, si Gurishta, Latifi, Jonuzi e të tjerë, në skuadër nuk mungojnë senatorët me aftësi teknike, këmbë të mira dhe eksperiencën për të nxjerrë si duhet një ndeshje europiane, duke nisur nga Bekim Balaj, Esat Mala, Esin Hakaj, apo dhe të rinj si Çoba, që ndërthurur me afrimet e kësaj verë, mbajnë përsipër shpresat e një qyteti të tërë që jeton me futbollin për të përjetuar një verë sa më të gjatë europiane.

Linfield nuk është një kundërshtar i lehtë, si një ndër dy skuadrat më të suksesshme në Irlandën e Veriut luan rregullisht në Europë, por kampionati i tyre nuk është më i fortë se i yni, ashtu si dhe formacioni të paktën në letër për sa i përket shpenzimeve, nuk ka diferencë me atë të Vllaznisë, me skuadrën shkodrane që i ka të gjitha letrat në rregull për të marrë një rezultat pozitiv në transfertë, me një ndeshje që premton emocione, të cilat do të mund t’i shijoni të gjitha në ekranin e Supersport!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat