Enrique e pranoi PSG me një kusht të panegociushëm

Futboll

Enrique e pranoi PSG me një kusht të panegociushëm

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 13:54
Enrique

Klubi i Paris Saint-Germain para disa ditësh zyrtarizoi spanjollin Luis Enrique si trajnerin e ri të skuadrës.

Negociatat me ish-teknikun e kombëtares së Spanjës zgjatën për një periudhë të gjatë dhe jo më kot, pasi sipas mediave franceze 53-vjeçari kërkonte garanci mbi eksperiencën e tij në Paris.

Luis Enrique kishte një kusht të vetëm dhe të panegociushëm për drejtuesit e kryeqytetasve; spanjolli nuk pranonte kurrsesi ndërhyrje në skuadër nga drejtues apo menaxherë të ndryshëm ndërsa në tratativa theksoi se merkato do të ndërtohej nga vetë ai. Luis Enrique, i tha drejtuesve të PSG se nuk kishte nevojë për emra të bujshëm në organikë dhe se merkato duhej ndërtuar mbi lojtarë punëtorë që mund t’i garantonin trajnerit më shumë kilometra në fushë.

Deri më tani, parizienët kanë firmosur pikërisht me emra si Ugarte për 60 milionë euro që erdhi nga Sportingu i Lisbonës, Marco Asensio si lojtar i lirë nga Real Madrid, Milan Skriniar po me parametër zero nga Inter, Kang-in Lee për 22 milionë euro nga Mallorca dhe Lucas Hernandez për 45 milionë euro nga Bayern Munich.

Janë pikërisht këta lojtarë të përzgjedhur nga Luis Enrique (përjashto Skriniar, marrëveshja me të cilin ishte mbyllur që në janar) të cilët morën besimin e spanjollit dhe që pritet të jenë titullar këtë sezon me PSG.

Nga ana tjetër, në negociatat me drejtuesit e Parisit, Luis Enrique nuk vendosi asnjë kusht në lidhje me të ardhmen e Neymar, Mbappe apo Messi. Spanjolli i siguroi drejtuesit se mund të bëjë edhe pa këta yje në ekip, teksa aktualisht Messi është larguar dhe e ardhmja mbetet në pikëpyetje për dyshen Neymar-Mbappe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat