Fanella numër 10 e Dybalas dhe e Romës

Futboll

Fanella numër 10 e Dybalas dhe e Romës

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 12:46
Dybala

Paulo Dybala, Roma, “Adidas”, fanella me numrin 10 dhe Francesco Totti. Kaq mjaftoi për t’i çmendur tifozët një foto e publikuar dje nga klubi verdhekuq, shoqëruar me një “like” nga argjentinasi.

Mes atyre që do t’i jepnin menjëherë “10” Dybala dhe atyre që nga ana tjetër nuk duan t’ia dinë, duket qartë se imazhi i zgjedhur nga Roma për të kujtuar bluzat e së shkuarës mund të ketë lindur ëndrra, spekulime, reflektime. Sepse kur i lidh emrat e Tottit dhe Dybala me pritshmëritë shumë të lartë të fanellës së re verdhekuqe, nuk mund të presë asgjë ndryshe.

Por cila është situata? E e dëshiron Paulo një numër kaq të bukur, por edhe kaq të rëndë? Dhe çfarë mendon Francesco? Po Roma dhe “Adidas”? Mjaft pyetje, ndoshta edhe më shumë në këtë fazë të sezonit.

Dybala është në Ibiza, siç u zbulua dje nga Di Maria në Instagram. Ai po shijon ditët e fundit të pushimit, përpara se të kthehet në Trigoria ku, në mënyrë të pashmangshme, agjentët e tij do të takojnë Tiago Pinto për të folur mbi rinovimin dhe rregullimin e pagës, ndoshta duke hequr atë klauzolë të vlefshme deri në fund të muajit, që i tremb aq shumë fansat.

Vazhdojnë të dëgjohen sirenat arabe dhe angleze, ndërkohë. Prandaj, në këtë moment numri nuk është prioriteti i tij. Gjithashtu, sepse Dybala nuk ka ndërmend ta marrë numrin 10.

Ai e do numrin 21, gjithashtu e donte atë në Juventus, por më pas bëri një zgjedhje tjetër, sepse besonte se ishte i lidhur përgjithmonë me ngjyrat bardhezi.

Sot Dybala mendon në një mënyrë tjetër: mund ta mbyllë karrierën në Romë, por edhe mund të largohet së shpejti, qoftë këtë verë (duket shumë e vështirë) apo atë të ardhshme. Për këtë arsye, marrja e një numri që për tifozët romakë dhe për të gjithë Romën përfaqëson diçka që shkon përtej futbollit, nuk është në planet e tij. Ai ka shumë respekt për historinë e asaj fanelle.

Është tjetër histori, nëse e thërret vetë Totti. Por Francesco ishte i qartë, sepse ai është i pari që e di se si shkon jeta, pra dhe futbolli. Nëse Dybala do të betohej për dashurinë e përjetshme ndaj ngjyrave verdhekuqe, atëherë do të ishte një çështje e natyrshme.

Totti e di se si qëndrojnë gjërat, gjithashtu e di se sa shumë i respektueshëm dhe inteligjent është Paulo për të bërë një zgjedhje të tillë sipërfaqësisht. Francesco ndodhet në SHBA, do të kthehet për rreth dhjetë ditë dhe më pas do të takohet me Dybala për atë darkën e famshme që kanë premtuar prej disa kohësh. A do të jetë edhe numri 10 në “pjatë”? Vështirë të thuhet tani.

Po Roma? Edhe në Trigoria e dinë peshën e fanellës më të rëndësishme nga të gjitha, e dinë që plani komercial nuk mund të mbivendoset me atë sportiv. Lansimi i fanellës së re të “Adidas” me numrin 10 të Dybala do të ishte një bum i çmendur, por askush nuk dëshiron të nxitojë shumë.

Marrëveshja me markën gjermane do të zgjasë të paktën pesë vite, fanella e re do të prezantohet në 48 orët e ardhshme. Në të ardhmen askush nuk e përjashton që mund të ketë një fanellë me numrin 10 në fushë, por ky nuk është momenti.

Dhe nuk ishte as dje, duke qenë se Roma nuk donte të jepte asnjë të dhënë sociale, por thjesht donte të tregonte një imazh të rrallë të një fanelle të viteve ’70, të veshur nga De Sisti. Pjesa tjetër u zmadhua nga pritshmëritë dhe imagjinata e fansave verdhekuq. Pak, shumë pak, për të bërë gjithçka reale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat