Pse dështoi Drita për të mbërritur te titulli?!

Futboll

Pse dështoi Drita për të mbërritur te titulli?!

Fehmi Sylejmani Nga Fehmi Sylejmani Më 21 maj 2023 Në ora: 14:42
Pamje nga një ndeshje

Pavarësisht se “bardhe e kaltërtit”  ishin kryesuesit e Superligës  për pjesën më të madhe të kampionatit, një xhiro para përfundimit të këtij edicioni, u dorëzuan duke ua mundësuar skuadrës rivale Ballkanit, që për të dytën herë radhazi të shpallet kampion i Kosovës në futboll.

Janë shumë arsye që kanë ndikuar që kjo skuadër të dështoi  për të parin e kampionatit në futbollin elitar të Kosovës.

Vendimi i nxituar dhe i pa menduar mirë i Kryesisë së klubit,  në fund të stinorit vjeshtor për të ndërruar trajnerin, kur skuadra ishte në pozitën e parë,  tashmë rezultoi  se ka qenë gabim trashanik dhe i pafalshëm.

Një trajner që ka suksese dhe është në pozitën e parë, njeh mirë organikën e klubit dhe skuadrat rivale,  nuk ndërrohet në asnjë mënyrë e aq më keq në mes të dy stinorëve.

Ardhja e trajnerëve tjerë veç sa e ka rënduar edhe më shumë situatën, për shkak të ambientimit  të tyre, tentimit të shtrirjes së filozofisë së lojës dhe konceptit që kanë ideuar në kokat e tyre. Teksa trajneri grek as që ka mundur ta njeh ligën e Kosovës, e aq më pak kontingjentin e lojtarëve të skuadrës së tij, e mos të flasim për cilësitë e lojtarëve kundërshtar.

Pra, ndryshimi i trajnerëve, tre brenda një kampionati e ka penalizuar Dritën në masën  më të madhe për të mos triumfuar këtë vit, ndonëse shumë më afër titullit ka qenë.

Kualitetit dhe kuantiteti i lojtarëve ka ndikuar në këtë mossukses, pikërisht kur  skuadra  në ndeshjet më të rëndësishme  kishte nevojë për paraqitje dinjitoze dhe stabile, ata nuk mundën të përballonin  presionin dhe të superonin sfidat vendimtare për të mbërritur te titulli. 

Po ashtu në këtë mossukses kanë ndikuar edhe lëndimet e lojtarëve, fondi jo i mjaftueshëm i futbollistëve, motivimi, përkushtimi, vullneti dhe elani më energjik i futbollistëve, mos rregullimi i stadiumit, fusha sintetike e tjera.

Krejt në fund, ky mos realizim i titullit, që në masë të madhe ka dëshpëruar simpatizuesit Dritës “intelektualët” dhe dashamirët e saj,  është një leksion i shëndetshëm, kryekëput për kryesinë e klubit, që në të ardhmen të jetë sa më  e kujdesshme në marrjen e çfarëdo vendimi  qoftë, prurjet e futbollistëve dhe trajnerëve, meqë  

Drita, më parë në këtë aspekt ka qenë model i mirë  për ekipet tjera, se si funksion së brendshmi.
(Autori është opinionist i lirë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat