Nica bën gati strategjinë kundër Tiranës

Futboll

Nica bën gati strategjinë kundër Tiranës

Më: 20 maj 2023 Në ora: 12:46
Laçi

Laçi pret Tiranën të dielën në orën 16:00 në shtëpinë e vet, në një ndeshje që mund të vendosë shumë për objektivin e kurbinasve, që është kapja e vendit të katërt, për të qenë në Europë në fund të këtij sezoni.

Presidenti Pashk Laska ka investuar shumë këtë sezon dhe mbetja jashtë Europës do të ishte me një kosto shumë të madhe për klubin. Humbja në Kukës është harruar shpejt dhe trajneri Stavri Nica ka nisur menjëherë punën për të ndërtuar një strategji fituese, duke marrë maksimumin e mundshëm në ndeshjen me Tiranën.

Stafi teknik pret në këtë ndeshje që lojtarët kryesorë si Saliu Guindo, Vasil Shkurtaj dhe Mentor Mazrekaj, të udhëheqin skuadrën drejt fitores.

MUNGESAT – Në ndeshjen e fundit ndaj Kukësit, dy prej titullarëve të Laçit u ndëshkuan me kartonë të verdhë dhe plotësuan numrin katër të tyre.

Kësisoj, qendërmbrojtësi Albi Alla dhe mesfushori Sebastjan Spahiu nuk do të jenë të gatshëm kundër Tiranës. Gjasat janë që qendra e mbrojtjes të rikthehet me dyshen Velkoski-Turkaj.

Edhe Mazrekaj pritet të jetë titullar ndaj Tiranës në krahun e majtë të sulmit. Nica kërkon që skuadra të ketë agresivitetin e duhur në mesfushë dhe të dalë shpejt në kundërsulme, duke shfrytëzuar Guindon dhe Shkurtajn.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat