Tirana mund Flamurtarin, shpallet kampione

Futboll

Tirana mund Flamurtarin, shpallet kampione

Më: 2 maj 2023 Në ora: 15:30
Tirana

Tirana është kampione e Shqipërisë në futbollin e sallës për edicionin 2022-2023. Bardheblutë kanë fituar finalen e tretë kundër Flamurtarit me rezultatin 5-3, duke u shpallur kështu për të 11-ën herë në histori kampionë të Shqipërisë. 

Një titull që nuk i ka kursyer as polemikat, pasi deri në fund zhvillimi i finales së tretë ishte në rrezik, me Flamurtarin që kërcënoi për bojkot.

Sipas rregullores kjo ndeshje duhej të luhej në Vlorë, por të dielën pallati i sportit në qytetin bregdetar ishte i bllokuar.

Kështu FSHF-ja vendosi veton, duke e çuar ndeshjen në sallën “Dhimitraq Goga” në Fllakë, me vlonjatët që kërcënuan deri në bojkot, për që bënë një hap vetëm në momentet e fundit.

Për sa i përket ndeshjes, Tirana kaloi që në minutën e tretë në avantazh me golin e kapitenit, Kacës. Në minutën e 12-të Doçi i çoi shifrat në 0- 2.

Në të 17-ën kapiteni Kaca, duke thelluar në 0-3 nga pika e penalltisë. Flamurtari reagoi në pjesën e dytë, duke shënuar dy herë me Shehajn në minutat 22 dhe 31, për të ngushtuar në 2-3, por në të 27-ën Kaca realizoi me penallti golin e 4-t për Tiranën dhe tretin personal.

Në minutën e 38-të, Muça i Tiranës realizoi edhe golin e pestë, ndërsa në fund Shehaj ngushtoi për Flamurtarin në 3-5.

Duhet theksuar se ka qenë një finale ku janë akorduar një numër i madh penalltish gjatë lojës me Flamurtarin që ka humbur katër të tilla, ndërsa Tirana humbi 1 dhe shndërroi në gol 2 nga 3 penalltitë e fituara.

Në fund u zhvillua edhe ceremonia, për t’i lënë vend festës së bardhebluve në parket. Kujtojmë se ndeshja e parë e finaleve e luajtur në Vlorë kishte përfunduar me fitoren 9-3 të Tiranës, ndërsa e dyta e luajtur në Tiranë u fitua 2-1 nga Flamurtari. Me fitimin e titullit, Tirana Futsall do të marrë pjesë në turet kualifikuese të UEFA Futsal Champions League.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat