Flamurtari nuk dorëzohet

Futboll

Flamurtari nuk dorëzohet

Më: 28 prill 2023 Në ora: 11:23
Pamje nga një ndeshje

Është luajtur ndeshja e dytë e finales së Kampionatit Kombëtar të Futsallit midis Tiranës dhe Flamurtarit.

Sfida e zhvilluar në Pallatin e Sportit “Asllani Rusi” të kryeqytetit përfundoi me fitoren 2-1 të Flamurtarit, duke bërë që titulli kampion të vendoset në duelin e tretë mes këtyre dy skuadrave që do të luhet pas disa ditësh në Vlorë.

Ka qenë një ndeshje mjaft e luftuar dhe shumë e balancuar nga fillimi deri në fund, që është vendosur vetëm në minutat e fundit që kanë qenë shumë emocionuese.

Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 0-0 pavarësisht se të dyja finalistet kanë tentuar vazhdimisht të zhbllokojnë rezultatin, por pa sukses.

Edhe pjesa e dytë ka vijuar me të njëjtin ritëm, teksa ka pasur raste për shënim si nga Flamurtari ashtu edhe nga Tirana.

Në minutën e 38-të Flamurtari arrin të gjejë avantazhin, duke shënuar golin e parë me anë të Gjoklajt.

Gjithsesi, Tirana gjen shumë shpejt shansin për të barazuar pasi vlonjatët plotësojnë numrin e 6 faulleve dhe arbitri akordon penallti për bardheblutë. Nga pika e bardhë Kaca tregohet i saktë, duke barazuar momentalisht shifrat në 1-1.

Në minutën e 40-të dhe të fundit Flamurtari arrin të gjejë edhe golin e fitores pasi Kaca i Tiranës devijon një gjuajtje në portë, duke shkaktuar autogol. Në sekondat e mbetura rezultati nuk ndryshon dhe Flamurtari fiton sfidën e dytë 2-1, duke bërë që kampioni të shpallet në Vlorë.

Kujtojmë se ndeshja e parë e finaleve mes Flamurtarit dhe Tiranës e luajtur në Vlorë përfundoi 9-3 në favor të ekipit kryeqytetas.

Dy ekipet erdhën në këtë finale pasi mbyllën sezonin e rregullt në dy vendet e para dhe arritën të kalonin edhe turin play-off, duke siguruar kështu shansin për të siguruar trofeun më të rëndësishëm sezonal, që siguron ekipit kampioni një biletë për në UEFA Futsal Champions League.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat