Championsi si shpëtim

Futboll

Championsi si shpëtim

Më: 20 prill 2023 Në ora: 13:43
Rafael Leao

Rafael Leao, nuk ka dyshim, prej rreth dhjetë ditësh duket si një person tjetër.

Sigurisht, te portugezi pasqyrohet dëshira e madhe për të fluturuar drejt finales së Stambollit.

E gjitha kjo pas eliminimit të Napolit me dy ndeshje të shkëlqyera në çerekfinale dhe para një derbi të dyfishtë gjysmëfinal të Champions League, që të bën të dridhesh vetëm duke e menduar, e lëre më ta jetosh si protagonist.

Dy gjysmëfinalet kundër Interit mund të jenë në një farë mënyre kufiri i fundit për të ardhmen e portugezit. Tema, nuk ka nevojë të thuhet, është gjithmonë ajo e rinovimit të kontratës. Asgjë veçanërisht e re, sepse është folur prej muajsh, por një besim i përhapur që do të sugjeronte një pikë takimi pak a shumë të afërt.

Sepse, siç tha vetë Leao, “unë jam mirë në Milano, por ka ende disa detaje për të zgjidhur”. Detajet e mësipërme, deri më sot, janë dy: distanca e kërkesë-ofertës. Leao kërkon 7 milionë euro në vit, ndërsa Milani ka arritur deri në 6 milionë plus bonuse. Mbi të gjitha pengesë përbën çështja e zakonshme e dëmshpërblimit ndaj Sportingut të Lisbonës.

Edhe pse kjo e fundit ishte një temë qendrore në negociatat për rinovimin me Milanin deri pak javë më parë, pyetja tashmë është pak më margjinale. Dhe në fakt Rafa e ka gjetur sërish buzëqeshjen, edhe pse rinovimi nuk mund të quhet plotësisht i zgjidhur.

Lille, që ruan të drejtat e 10% nga shitja e ardhshme e mundshme e Leaos, ka çdo interes që lojtari të mos dalë transferim i lirë. Kjo, së bashku me apelimin e humbur në Gjykatën Federale Zvicerane, do ta çonte klubin francez drejt pagimit të të gjithë dëmshpërblimit te Sportingu.

Prandaj, përshpejtimi i kuqezinjve në javët e fundit dhe vullneti, aspak i fshehur, për ta zgjidhur çështjen përpara derbit të dyfishtë të Champions League, janë të natyrshme. Le të jemi të qartë: ky nuk është një ultimatum, por qartësisht për arsye të ndryshme,

“Djalli” do të donte të paraqitej në takimin gjysmëfinal me çështjen Leao të mbyllur përfundimisht.

Nga ana tjetër, vetë perspektiva për të luajtur në finale dhe ndoshta për ta fituar kompeticionin më të lartë evropian për klubet mund t’i shtyjë përfaqësuesit e portugezit të blejnë kohë.

Një Champions League i fituar si protagonist jo vetëm që do ta rriste numrin tashmë të konsiderueshëm të kërkuesve të Rafa dhe, rrjedhimisht, mundësinë që lojtari të merrte oferta shumë të rëndësishme, por do ta detyronte disi Milanin t’i përmbushte kërkesat financiare të portugezit.

Me pak fjalë, Liga e Kampionëve mund të jetë nyja e radhës që do të zgjidhet. Nëse Rafa më në fund vendos ta mbyllë këtë kapitull shumë të gjatë, duke e hedhur në letër dashurinë e tij për Milanin, i gjithë populli kuqezi do të kishte motiv për të festuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat