Laçit i lind e drejta të pretendojë!

Futboll

Laçit i lind e drejta të pretendojë!

Më: 9 prill 2023 Në ora: 16:04
Laçi

Ndërkohë që çështja e kërcënimit të arbitrave ka bërë që Federata t’i drejtohet me një kallëzim organeve të rendit, komunikata e institucionit qeverisës të futbollit shqiptar konfirmon në mënyrë të drejtëpërdrejtë manipulimin e rezultatit të një gare sportive, pikërisht atë të Kastrioti – Laçi javën e kaluar. Kështu, teksa në komunikatën e Federatës teksualisht shprehet:

“Një javë më parë, në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit”, është e qartë se rezultati i sfidës është diktuar nga faktorë të jashtëm.

Bëhet fjalë për anulimin e një goli në minutën e 88-të të takimit, kur rezultati ishte në barazim 1-1 dhe që nëse do të akordohej mund të kishte ndryshuar krejt rrjedhën e takimit, ku Kastrioti më pas shënoi në minutën e 94-të duke fituar 3 pikët pasi ndeshja përfundoi 2-1 në favor të skuadrës krutane.

Në dritën e fakteve të reja, klubit të Laçit i lind e drejta të pretendojë për verdiktin e kësaj sfide në organet kompetente të Federatës, duke patur në dorë një armë të fortë dhe thuajse të pakontestueshme, faktin se vetë Federata ka konfirmuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë manipulimin e ndeshjes për shkak të kërcënimeve me jetë ndaj arbitrave.

E ndërkohë që kjo pritet të jetë një tjetër çështje për t’u vendosur nga Komisioni i Disiplinës dhe ai i Etikës në FSHF, prapaskena e rëndë e zbuluar nga vetë Federata është një këmbanë e rëndë alarmi për një fenomen që prish garën në kampionatin e Kategorisë Superiore pikërisht në fazën më të nxehtë të tij për sa i përket verdikteve sezonale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat