Kukësi mes dilemash para duelit me Tiranën

Futboll

Kukësi mes dilemash para duelit me Tiranën

Më: 8 prill 2023 Në ora: 14:08
Kukësi

Humbja ndaj Egnatias tregoi se Kukësi vijon të jetë një ekip i brishtë, edhe pse skuadra kërkon ta lërë pas atë 90-minutësh që ishte i gjithi për t’u harruar.

Tre gola nuk janë pak, në një kohë kur thuajse nuk funksionoi asgjë në atë përballje, sepse u çalua në të gjitha anët.

Kur ka mbetur edhe një fazë e plotë për t’u luajtur, verilindorët ndodhen në një moment kritik të kampionatit, ku çdo pikë shihet si e rëndësishme për ecurinë deri në fund.

Blutë do të përballen këtë të hënë me Tiranën në “Elbasan Arena” me shpresën për të dalë me një rezultat pozitiv dhe qenë të qetë edhe për të paktën një javë sa i përket zonës së rënies.

Për këtë sfidë, Hallaçi ka përpara një detyrë të vështirë, teksa i duhet t’i rikthehet edhe njëherë “halleve” të fillimit kur mori detyrën, të risistemojë prapavijën.

Thuhet kështu, sepse Kukësi duket se po “fut” ujë në javët e fundit dhe këtë e tregojnë golat e pësuar, të cilët në shumë raste kanë ardhur edhe për shkak të problemeve në mbrojtje. Dhe, duke parë formën e mirë të bardhebluve, sidomos në sulm, do të jetë një mision jo i lehtë për kuksianët të mbajnë portën të paprekur.

Në gjashtë ndeshjet e fundit, midis kampionatit dhe Kupës, blutë kanë pësuar në pesë prej tyre dhe vetëm në një rast ia kanë dalë që ta mbajnë portën të paprekur, në atë fitore 2-0 ndaj Bylisit në “Kukës Arena”.

Në sfidat e tjera, verilindorët e kanë nxjerrë të paktën një herë topin nga rrjeta, teksa ka qenë efikasiteti në sulm që i ka dhënë në këto raste edhe pikët, duke bërë të harrohen disi edhe golat e pësuar.

Duke njohur “fiksimin” e Hallaçit për këtë repart, pritet që tekniku të bëjë ndryshime dhe të rikthejë edhe njëherë atë mbrojtjen “hermetike” nga ku erdhën edhe rezultatet pozitive të Kukësit.

Nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe lëvizje lojtarësh në prapavijë, sepse tre gola Kukësi i Hallaçit nuk i kishte pësuar asnjëherë nën drejtimin e tij dhe ky është një fakt që rëndon shumë në këtë moment.

Gjithsesi, mbeten për t’u parë lëvizjet dhe manovrat që mund të bëhen, pasi deri të hënën do të shihen të gjitha opsionet e mundshme, duke llogaritur edhe kundërshtarin që kanë përballë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat