Muller justifikon eliminimin e Bayernit

Futboll

Muller justifikon eliminimin e Bayernit

Më: 5 prill 2023 Në ora: 15:25
Muller

Bayern Munih kaloi edhe një tjetër sezon pa e fituar Kupën e Gjermanisë, aty ku Fraiburgu i shkaktoi humbjen, njëkohësisht eliminimin nga kompeticioni në fjalë.

Duket se triumfi në “Klasike” i dehu të besuarit e Tomas Tuhel. Myler, edhe pse me shiritin e kapitenit në krahë, nuk guxoi të merrte përsipër peshën e eliminimit, por e justifikoi nëpërmjet elementit “fat”, pasi vendësit nuk luajtën edhe aq keq në lupën e “plakushit” 33-vjeçar:

“Gjendemi vërtet në situatë të hidhur pas asaj të shtune plot ngjyra dhe emocione. Nuk është e lehtë të analizosh lojën pas këtij skenari jo të këndshëm. S’mendoj se zhvilluam paraqitje aq të keqe sa të kishim të tillë përfundim.

Më vret se u skualifikuam në fushën tonë përballë tifozërisë. Fraiburgu u përqendrua në mbrojtje dhe na e bëri të vështirë depërtimin në zonën e rreptësisë. Ata shfrytëzuan çastet finale nga mbyllja e sfidës dhe goditën për të kaluar në gjysmëfinale.

Pas minutës së 65-të tempi i lojës ra nga ana jonë dhe duket sikur na munguan shkëndijat e duhura për të rritur dozat e sulmit dhe për të shpresuar në gjetjen e golit, i cili mund të rezultonte deciziv.

Miqtë u treguan dinakë në ato dalje të cunguara, megjithëse përfundimi i lojës dha verdiktin se kush kaloi më tej. Jo gjithmonë fiton më i miri dhe ky është pikërisht nga ato raste kur ky term përshtatet”, përfundoi i pezmatuar kapiteni Muller, i cili zhvilloi takimin e 64-t në Kupë, ndonëse jo ashtu siç futbollisti me numër 25 në kampin e rekordmenëve gjermanë e dëshironte.

Me këtë kuotë prezencash në Kupë, ai la pas portierin legjendar të Bajernit, Zep Majer, pavarësisht se ka ende disa pengesa të tjera drejt rrugës për t’u kurorëzuar me numrin më të lartë të paraqitjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat