Marash Kumbulla, djaloshi më i qetë në botë djallosi gjithçka ndaj Berardit

Futboll

Marash Kumbulla, djaloshi më i qetë në botë djallosi gjithçka ndaj Berardit

Më: 14 mars 2023 Në ora: 11:59
Marash Kumbulla

Ishte një incident shkak-pasojë. Kur ndjeu se Berardi po i sulmonte pjesët intime, Marash Kumbulla pa në atë sekondë ku dallon e mira nga e keqja. Dhe ai veproi në mënyrën më të keqe, duke shkaktuar një penallti dhe marrë kartonin e kuq me një goditje ndaj kundërshtarit që e kishin parë të gjithë, përveç arbitrit Fabbri dhe bashkëpunëtorëve të tij në fushë.

Këto janë gjëra që nuk duhet të ndodhin në jetë, por ndonjëherë ndodhin. Këtë e vërteton Kumbulla, i cili është djali më i qetë në botë dhe që për pak çaste u bë “i dhunshëm”. Në karrierën e tij të re, mes klubit dhe kombëtares shqiptare, Kumbulla nuk ishte përjashtuar asnjëherë. Për të ndotur dosjen disiplinore, ai fatkeqësisht përdori rrugën më të dëmshme për Romën.

“Raptus” është një fjalë që vjen nga latinishtja dhe fjalë për fjalë do të thotë “rrëmbim”. Këtu, Kumbulla rrëmbeu skenën për keq dhe e mori me vete disfatën në dhomat e zhveshjes, duke i dhënë Sassuolos një fitore të rehatshme, që ndoshta nuk do të ishte e mundur nëse do të rifillonte me numër të barabartë lojtarësh pjesa e dytë. Padyshim që nuk është sezoni i tij.

Kumbulla bëri një gabim kundër Cremonese në Kupën e Italisë dhe shkaktoi disavantazhin 0-1. Ai gaboi të dielën, duke goditur një kundërshtar në zonën e rreptësisë. Po ta kishte bërë në mesfushë do të ishte përjashtuar me të kuq gjithsesi, por të paktën nuk do të kishte shkaktuar penallti.

Është një turp i vërtetë, sepse vetëm të enjten, pas një periudhe mosbesimi dhe zhgënjimi, ai ishte rikthyer në protagonist pozitiv me golin e 2-0 ndaj Real Sociedad, duke festuar me topin poshtë bluzës për nder të vajzës së tij që pret të vijë në jetë. Në momentin që mundi t’i jepte vazhdimësi rrugës së tij, duke merituar një shans tjetër si titullar, Kumbulla dreqosi gjithçka.

Në fund të ndeshjes, Kumbulla, shumë i mërzitur, iu kërkoi falje shokëve të skuadrës, të cilët e vlerësuan. Nga ana tjetër, Mourinho nuk e priti shumë mirë episodin, i cili ndikoi ndjeshëm në këtë humbje. Janë dinamika të kuptueshme, por djaloshi shqiptar nuk do të donte që opinioni publik, që i interesojnë fyerjet ‘sociale’, t’i ngjiste në fanellë kartonin e kuq të banditit ose budallait.

E vërteta është se me Berardin ka pasur precedentë. Jo vetëm në këtë ndeshje, në të cilën Fabbri tashmë i kishte thirrur e qortuar të dy për një tjetër përplasje të ndaluar në mesfushë. Të dy ishin fërkuar më parë. Dhe Kumbulla, ndonëse në dijeni të gabimit që nuk pranon justifikime, pyet veten pse futbolli i Berardit nuk u sanksionua, ndryshe nga reagimi i tij i ekzagjëruar.

Megjithatë, tani, në pritje të skualifikimit që nuk do të jetë më pak se 2 ndeshje, Kumbulla nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse t’i kthehet punës për t’u rikthyer më i përmbajtur. Ai e dinte se nuk ishte qendërmbrojtësi i preferuar i Mourinhos dhe ndoshta për këtë arsye, i ngarkuar me përgjegjësinë për të demonstruar më të mirën, nuk ishte i kthjellët në menaxhimin e nervave të tij. Kumbulla do të paguajë edhe gjobën që meriton.

Në këtë pikë të sezonit ai rrezikon të rikthehet në margjinat e skuadrës, pozicion të cilin e kishte braktisur me mjaft mundim. Por në futboll ju kurrë nuk e dini. Nga e enjtja deri të dielën shkoi nga 100 në zero, e kundërta mund të ndodhë herët a vonë… Analizë e “Corriere dello Sport”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat