Luftë milionash

Futboll

Luftë milionash

Më: 28 shkurt 2023 Në ora: 20:32
Erling Haaland

Që Erling Haaland shënon në fushë nuk përbën më lajm: 33 gola në 33 prezenca sezonale.

Në Premier Ligë shënon më shumë se një gol për ndeshje (27 në 24 javë).

Shifra që i kënaqin të gjithë: atë, Guardiolën, tifozët, por edhe sponsorët.

Sepse janë numra që sjellin shi milionash, duke parë që 22-vjeçari nuk ka një sponsor që prej 31 dhjetorit. Por sipas “The Athletic”,

“Nike” po i bën një ofertë prej 23 milionë eurosh në vit për ta konfirmuar në skuadrën e vet. Gjiganti amerikan mund të vazhdojë të jetë sponsori teknik, i cili e ka pjesë të ekipit të vet që prej moshës 14- vjeçare.

Norvegjezi e shpërbleu besimin me marrëveshjen e mëparshme, nga e cila fitonte 1 milion euro në sezon.

Por tani ai pritet të firmosë një kontratë të re me gjigantin e veshjeve sportive, që ka fituar konkurrencën me rivalët e “Puma” dhe “Adidas”, ku gjatë muajve të fundit Haland kishte provuar të vishte edhe këpucët e tyre.

Të gjithë sponsorët i kanë prezantuar ofertat e tyre sulmuesit, i cili përveç të tjerash ka lidhje familjare me drejtorin e “Adidas”, Bjorn Gulden.

Por Halandi duket më pranë firmës me “Nike”, e cila i ka ofruar një shifër që do të kalonte edhe Kristiano Ronaldon (15 milionë me “Nike”) dhe Mesin (18 milionë me “Adidas”).

Ai do t’i afrohej shumë edhe Nejmarit, i cili në vitin 2020 firmosi me “Puma”-n për 25 milionë euro në sezon, duke u bërë kështu futbollisti më i paguar i të gjitha kohërave nga një sponsor teknik.

Por rekordet janë bërë për t’u thyer. Haland po e bën në fushë dhe nuk do të habiste asnjë nëse do ta bënte edhe jashtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat