Sporti në Shqipëri me buxhet qesharak

Futboll

Sporti në Shqipëri me buxhet qesharak

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 16:56
Topi

Vit i ri, halle të vjetra për sportin në vendin tonë.

Si në një rreth vicioz, protagonistët e lojës, drejtues dhe financues, vijojnë betejën e tyre më të madhe, atë të mbijetesës.

Prej dekadash tanimë, financimi nga buxheti i shtetit është në kufijtë e lëmoshës.

Dhe i shpërndarë nëpër të gjitha federatat, është i mjaftueshëm për të siguruar disa rroga zyrtarësh.

Maksimumi për të mbuluar shpenzimet më minimale për aktivitetet zyrtare të secilës prej tyre. Vetëlavdërimet për rritje të këtij buxheti me disa milionë lekë të vjetra, përkthehen thjesht me disa qindarka më shumë për secilën federatë.

Një panoramë e tillë është në kontrast të fortë me ata që 10 vite më parë patën pretenduar rilindjen e sportit.

Sot, një dekadë më vonë, realiteti konfirmon me shifra.

Bashki të tëra, në të cilat nuk ushtrohet asnjë lloj sporti, investime minimale në terrene të dedikuara, klube të shumta shumësportësh që janë tkurrur në maksimum.

Dhe rrjedhimisht edhe rezultate sporadike.

Nëse ka patur një sektor në të cilin nuk ka patur dhe nuk ka asnjë vizion për masivizimin, financimin dhe pritshmëri për rezultate,

Sporti është një dëshmitar, që ulërin për ndihmë çdo ditë.

Ligji i Sponsorizimit në Kosovë!

Një shpresë është ushqyer prej vitesh, se një rrugëdalje do të ishte Ligji i Sponsorizimit. Por edhe kjo iniciative ka mbetur një premtim i harruar sirtarëve të ministrive dhe arkivave të televizioneve. Ndonëse si një model, pothuajse në çdo iniciativë është marrë shteti më i ri në kontinent, Kosova. Kjo e fundit në pak vite ka ndërtuar një kuadër ligjor funksional dhe ka krijuar mundësi për çdo sipërmarrje në fushën e sportit.

Për ta ilustruar mjafton të sjellim në vëmendje disa shifra nga viti 2022. Me punën e federatave dhe klubeve sportive, qeveria e Kosovës u mundëson bizneseve, që të lirohen nga pagesa e tatimit në fitim deri në masën 30% dhe atë buxhet ta orientojnë në disiplina të ndryshme në sport.

Vlera totale e mbështetjes së sportit nga buxheti i shtetit është në masën 9.1 milionë Euro. Ndërkohë në antitezë të fortë, në vendin tonë është 0 ligji i sponsorizimit dhe afro 1.5 milionë euro buxheti.

Shifrat bëhet edhe më kuptimplotë, kur kujtojmë që Kosova e zhvillon të gjithë aktivitetin e saj, me vetëm gjysmën e buxhetit që ka Shqipëria.
Për fat të keq, e njëjta situatë duket se do të vijojë edhe në vitin e ri kalendarik 2023.

Në Kosovë, qeveria ka akorduar për sportin një buxhet në shifrën afro 9.9 milionë euro.!

Ndërkohë nëpërmjet faturimeve nga sponsorizimet mbështetja për sportin pritet të shkojë në 22 milionë euro. Ndërsa sporti në vendin tonë, duhet të “kallëndriset” me vetëm 1.5 milionë euro dhe të ardhurat nga sponsorizimi pothuajse zero.

Në këto kushte, i gjithë komuniteti i sportit, duhet të ndërgjegjësohet dhe të bëhen një zë i vetëm për të kërkuar zgjidhje.

Një zgjidhje për të tashmen dhe veçanërisht të ardhmen e të gjithë aktivitetit të tyre.

Modeli i Kosovës, kuadri ligjor dhe vullneti politik janë shembulli për t’u ndjekur. Për fat të mirë, për të ndjekur rrugën e saj, nuk do të na duhen as këshilltarë europiane dhe as përkthyes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat