Neymar shkakton diskutime

Futboll

Neymar shkakton diskutime

Më: 18 shkurt 2023 Në ora: 13:21
Neymar

Sigurisht që nuk ka mungesë talenti dhe eksperience te PSG, një nga skuadrat më konkurruese në botë.

Pra, çfarë do t’i duhet skuadrës së “Tour Eiffel” kundër Bayern Munich në Ligën e Kampionëve për të përmbysur humbjen e ngushtë të ndeshjes së parë në 1/8 finale? Para së gjithash uniteti i qëllimit, qetësia dhe profesionalizmi.

Ky është mesazhi që Kylian Mbappe ka dashur t’iu dërgojë bashkëlojtarëve (dhe të tjerëve) pas sfidës së parë kundër kampionëve gjermanë.

Fjalë që për shumicën u shfaqën si një referencë e qartë për stilin e jetës së shthurur të partnerit të tij Neymar, i cili iu përkushtua pokerit në orët pas disfatës me bavarezët.

Edhe një herë, sulmuesi brazilian po shkakton diskutime për stilin e tij të jetesës më shumë se për performancën në fushën e lojës.

 Një raport nga shtypi transalpin, dhe në veçanti nga “L’Equipe”, ka nxjerrë në pah disa aspekte të jetës private të Neymar, të cilat sigurisht janë të destinuara të nxisin polemika të mëtejshme.

Në fakt, ish-lojtari i Barcelonës, tashmë protagonist i situatave të ndryshme të diskutueshme, përfshirë marrëdhënien më pak se idilike me Mbappe, ka përfunduar në sy të stuhisë edhe për ekstraminimin e tij kur nuk është i angazhuar në aktivitet profesional. Në fakt nuk kanë fund polemikat mes banorëve të zonës ku “O’Ney” jeton për festat e tij.

Disa banorë të Bougival, një fshat i vogël në periferi të Parisit, treguan për “Le Parisien” se si jeta e tyre ndryshoi pas ardhjes së brazilianit më 2017: “Ai ngriti tenda, solli një orkestër dhe të gjitha pajisjet audio, – zbuloi një fqinj. – Unë jetoj matanë rrugës dhe më dridheshin dritaret.

Ne dëgjojmë gjithçka, edhe pse jetojmë 600 metra larg. Ky person nuk ka respekt. Fakti që është Neymar nuk përbën justifikim. Disa mbrëmje zgjatën 48 orë”.

Më 5 shkurt, Neymar festoi ditëlindjen, duke shkaktuar sërish zemërimin e banorëve.

Kryetari i bashkisë së Bougival, Luc Wattelle, u ankua në atë kohë dhe e quajti atë një “individ pa respekt”. Pati edhe nga ata që nënvizuan një aspekt tjetër:

“Ajo për të cilën mund ta fajësojmë janë shishet bosh që të ftuarit i lënë në rrugë”.

Madje, duket se disa qytetarë kanë hapur edhe një grup në rrjetet sociale për t’u ankuar për festat e Neymar, të cilat më pas u eliminuan.

Megjithatë, jo të gjithë banorët e fajësojnë, pasi ka edhe nga ata që e kuptojnë:

“Njerëzit ankohen, por ai e bën këtë ndoshta tri herë në vit.

Në moshën e tij është normale të kënaqet me lekët që ka.

Çudi që festat e tij janë kaq problematike, por për shkak se emri i tij është Neymar, të gjithë flasin për të”.

Megjithatë, kryebashkiaku nuk duket të jetë i të njëjtit mendim duke gjykuar nga fjalët e tij: “Çfarë përfitoni nëse përballeni me një djalë që nuk i intereson shumë të paguajë një gjobë prej 135 euro, duke marrë parasysh sa fiton?

Në një moment do të dërgojmë dosje në Prokurorinë Publike për prishje të vazhdueshme të rendit publik”.

Me pak fjalë, apeli i Mbappe duket i destinuar të bjerë në vesh të shurdhër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat