Sherret me Sarrin

Futboll

Sherret me Sarrin

Më: 15 shkurt 2023 Në ora: 16:09
Tare

Përplasjet e trajnerit të Lacios, Mauricio Sarri, me Igli Taren janë bërë publike prej kohësh në median italiane.

Për më tepër, në verë u raportua se drejtuesi shqiptar ishte pranë largimit nga bardhekaltrit pikërisht si pasojë e këtyre mosmarrëveshjeve, por presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, vazhdon të vlerësojë maksimalisht punën e shqiptarit dhe kjo është parë qartë ndër vite.

Madje, ai pritet që të bëjë edhe një tjetër hap të radhës për të konfirmuar këtë fakt, duke qenë se “Tuttomercatoweb” raporton se Juventusi, por edhe Totenhemi kanë shtuar presingun për ta afruar në klubet respektive si drejtor sportiv.

Madje, bardhezinjtë duken këtë herë më shumë se kurrë të vendosur për të provuar së joshuri ishkapitenin dhe bomberin e Kombëtares kuqezi, duke parë jo vetëm dënimin e Federiko Kerubinit për çështjen e plusvalencave, por edhe për faktin se me të mbaruar skualifikimin Kerubini do të marrë një tjetër rol në klub dhe Juves i duhet me çdo kusht një njeri me intuitë të theksuar për shit-blerjen e lojtarëve.

Por edhe Totenhemi ka të njëjtin problem, pas dënimit gjithashtu të ish-juventinit, Fabio Paratiçi, që sot mban rolin e drejtorit sportiv në Londër, por për 30 muaj, nëse vendimi në gjykatën e “CONI”-t nuk ndryshon, ai duhet të vuajë skualifikimin e gjatë dhe normalisht që pritet të humbë edhe detyrën e tij në radhët e Totenhemit.

Por pavarësisht të gjithë joshjes torinezo-londineze për Igli Taren, Klaudio Lotito mendon se e ka në dorë xholin e tij për të mos e lëshuar shqiptarin.

Ideja e presidentit është ajo e një kontratë të re 3-vjeçare, shoqëruar me një rritje rroge, shenjë e qartë kjo edhe për trajnerin Mauricio Sarri, lidhur me hierarkinë në klub.

Tare dhe Sarri janë dy natyra shumë të forta, që nuk pranojnë të kenë një person tjetër që ta kundërshtojë në veprime, por nëse vendos të rinovojë, trajneri duhet t’i përulet Iglit, ndonëse Juvja dhe Totenhemi shpresojnë që Sarri ta ketë tërbuar aq shumë sa të zgjedhë rrugën për në “Allianz Stadium” apo “Hotspur Stadium”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat