Lautaro Martinez premton: Nuk ndalem këtu

Futboll

Lautaro Martinez premton: Nuk ndalem këtu

Më: 12 shkurt 2023 Në ora: 22:51
Lautaro Martinez

Botërori i fituar në Katar, edhe pse nuk e ka parë protagonist, duket se e ka transformuar sezonin e Lautaro Martinezit.

Që pas rikthimit si kampion bote, sulmuesi i Interit ka qenë i pandalshëm në të gjitha kompeticionet me zikaltrit duke shënuar plot 7 gola në 9 ndeshje duke fituar edhe një trofe mes tyre, atë të Superkupës së Italisë ndaj Milanit.

Trofeu ama duket se vetëm ia ka shtuar urinë “Demit” që nuk e fshehu ambicien në një intervistë për “ESPN”.

“Pak a shumë para dy viteve isha në kuotën e zero trofeve.

Sot kam shtatë të tillë mes klubit dhe kombëtares dhe një dukuri e tillë më shtyn të rritem edhe më shumë”, u shpreh argjentinasi, i cili më pas tregoi edhe prapaskenat e Botërorit dhe dëshirën për të ardhmen.

“Në nisje të Botërorit isha në një gjendje shumë të keqe, nuk arrija as ta godisja topin sepse kisha dhimbje të padurueshme në kavilje.

E kisha ndier edhe me klubin, por ishte e menaxhueshme deri në ndeshjen e fundit me Atalantën.

Jam shumë i lumtur për rendimentin e Alvarezit, sepse i dha kombëtares atë që nuk munda unë. I kisha kërkuar trajnerit Skaloni të më linte pushim për të shkuar gati në ndeshjen e parë të grupit.

Arrita të luaja me injeksione ndaj Arabisë Saudite, por nuk arrija të stërvitesha rregullisht. Mesi në një moment m’u afrua dhe më tha që të rikuperohesha ngadalë sepse do të isha vendimtar në fazën finale.

Gjithsesi, kisha një ndjesi të mirë për Botërorin, në aeroportin e Abu Dabit, kur zbritëm, i thashë De Polit: ‘Këtë herë do ta fitojmë, kam besim’. Ashtu ndodhi”.

“Unë jam i lumtur tek Interi, por sigurisht që ëndrra ime është të kthehem edhe një herë tjetër të vesh fanellën e Rejsing. E kam gjithmonë në mendje, e bisedoj shpesh me bashkëshorten time.

Është një ëndërr që e kam në sirtar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat