Kapllani tregon sekretin e Erzenit

Futboll

Kapllani tregon sekretin e Erzenit

Më: 22 janar 2023 Në ora: 15:41
Kapllani

Trajneri i Erzenit, Xhevahir Kapllani, e ka cilësuar fitoren e sotme ndaj Kukësit si shumë të rëndësishme për vazhdimësinë e ekipit. Ai theksoi se ekipi e kishte merituar dhe kishe bërë gjithçka siç ishte përgatitur.

“Jam shumë i gëzuar për të vetmen arsye që më në fund erdhi momenti që pas disa barazimesh, të fitonim.

Kishim kohë që po e përgatitnim këtë ndeshje me Kukësin dhe erdhëm me mendim të qartë në kokë që të dilnim me rezultat pozitiv që është trepikëshi dhe ia arritëm qëllimit.

Nuk ka shumë rëndësi ndryshimi brenda lojës i sistemeve apo moduleve.

Sinqerisht ndjehem shumë me fat që stërvit këta lojtarë se përshtaten më të gjithë gjërat që u them në analizë, stërvitje e gjatë ndeshjes, i kuptojnë shumë mirë direktivave tona.

E kishim përgatitur skuadrën që në minutat e parë Kukësi do të na vinte nën presion dhe fatmirësisht në ato momente e minuta i kaluam pa probleme

. Gradualisht hymë në ritmin e lojës, fusha nuk ishte në gjendjen më të mirë të mundshme ndoshta edhe nga ngrica.

Kukësi pastaj filloi me topat e gjatë, që na shërbente më tepër dhe e shfrytëzuam në maksimum për të dalë në kundërzbritje drejt portës së kundërshtarit.

Kahrimanoviç vjen nga një problem shëndetësor dhe ka munguar disa ditë në stërvitje, i dhamë minuta në Kupë dhe nuk është ende fizikisht mirë. Në ditët në vazhdim do të përmirësohet si ai, ashtu edhe Krasniqi.

Zëvendësuesit atë punë kanë, që të japin maksimumin. Kjo fitore u kushtohet këtyre çunave, ata që luajnë nga fillimi dhe ata që janë në stol. Ne funksionojmë si një trup i vetëm dhe t’u shkojmë gjërave deri në fund.

Nuk ndjehem mirë që mund të kemi dëmtime, por fatmirësisht kthehen lojtarë dhe mendoj se do të vazhdojmë punën e jemi OK në ndeshjet në vijim.

Që nga dita e parë që kam ardhur në Shijak, kanë qenë njerëzit më besnik tonët, na kanë mbështetur në momentet më të vështira, na kanë dhënë kurajë, edhe në momente ku kemi pasur ngërç gjatë ndeshjeve, kanë qenë lojtari i 12 dhe i falënderoj në emër të të gjithë ekipit, se janë mbështetja kryesore dhe ne do të japim gjithçka ndaj qytetit dhe ekipit të Shijakut.

Dihet kush është Tirana, dihet forca e saj se është kampione e Shqipërisë. Besoj se ka skuadrën më të mirë në Shqipëri.

Ajo do të jetë ndeshje tjetër, do të mundohemi të japim maksimumin. Por nuk kemi shumë kohë se është javë e ngjeshur”, tha Kapllani për “Oversport” pas sfidës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat