Urdhër i pazakontë

Futboll

Urdhër i pazakontë

Më: 20 janar 2023 Në ora: 19:46
Gjimshiti

Kampionati italian vazhdon të jetë një ndër më të ndjekurit në të gjithë botën, por për sportdashësit francezë, nuk do të jetë e mundur të shohin ndeshjet e një skuadre në veçanti nga Seria A.

“BeIn Sports”, transmetuesi zyrtar i kampionatit, ka bërë të ditur se nga tani e tutje, nuk do të transmetojë ndeshje të Serisë A ku luan Atalanta.

Shkak për këtë bëhet sponsori që ka në fanellë skuadra në të cilën aktivizohet Berat Gjimshiti.

Ajo mban në fanellë emrin “Plus 500”, një kompani e cila ka përfunduar në lupën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave në Francë pasi ofron “shërbime investimesh në lidhje me kontrata financiare të rrezikshme”.

Ndaj kjo cilësohet një publicitet i ndaluar, duke shtyrë transmetuesin televiziv të zhduke Atalantën nga ekrani i saj, me urdhër të qeverisë franceze.

Kompania “Plus 500” është një platformë investimesh financiare me qendër në Qipro, e cila edhe në faqen e saj të internetit ka një paralajmërim të qartë për “rrezik të lartë të humbjes së shpejtë të kapitalit”. Përveç Atalantës, ajo sponsorizon edhe Legian e Varshavës, Jang Bojz, si dhe Çikago Bulls.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat