Trajneri holandez trashëgoi një skuadër që kishte numrin më të ulët të pikëve

Futboll

Trajneri holandez trashëgoi një skuadër që kishte numrin më të ulët të pikëve

Më: 17 janar 2023 Në ora: 12:40
Erik ten Hag

Manchester Utd ka fituar që tani më shumë ndeshje nën drejtimin e Erik ten Hagut sesa bënë gjatë gjithë sezonit të shkuar.

Trajneri holandez trashëgoi një skuadër që kishte numrin më të ulët të pikëve në historinë e Premier Ligës.

Dhe gjërat nisën në mënyrën më të keqe edhe këtë sezon, me “Djajtë” që e nisën 2022-’23- shin me një humbje 2-1 në shtëpi me Brajtonin dhe poshtërimin 4-0 në Brentford. Por ish-trajneri i Ajaksit ka prerë deri në fund timonin në “Old Trafford” prej atëherë.

Fitorja 2-1 në derbin e Mançesterit i dërgoi djemtë e tij vetëm 1 pikë pas kampionëve të Premier Ligës në klasifikim. Ishte triumfi i 21-të në 29 ndeshjet e këtij sezoni në të gjitha kompeticionet, më shumë sesa ata arritën gjatë gjithë sezonit të shkuar. Nën drejtimin e Ole Gunar Solskjaerit dhe më pas Ralf Rangnikut, Junajtid fitoi 20 ndeshje nga 48 sezonin e shkuar në çdo kompeticion që mori pjesë. Ata nuk fituan asnjë trofe dhe e mbyllën me rekordin më të ulët të pikëve në historinë e Premier Ligës (58).

Skuadra ka shënuar 49 gola në gjysmën e këtij sezoni dhe është në rrugën e duhur për të thyer edhe rekordin e golave të të gjithë sezonit të shkuar (71). Por Ten Hag ka bërë ndërhyrje të rëndësishme edhe në repartin e prapavijës. Në 48 ndeshjet e sezonit të shkuar, Junajtid nuk pësoi gol në vetëm 10 prej këtyre sfidave. Ndërsa në 29 ndeshjet e deritanishme gjatë 2022-’23-shit, “Djajtë” e kanë ruajtur portën e paprekur në 12 raste.

Revolucioni që po bën 52-vjeçari në skuadër ka hipnotizuar edhe Geri Nevilin, i cili duke folur për “Sky Sports” tha për ish-skuadrën e tij: “Jam i hipnotizuar nga puna që Ten Hag ka bërë. Nëse do të më kishit thënë 4 muaj më parë se ku do të ishte Junajtid, unë do të kisha thënë nuk ka asnjë shans. Do të kisha thënë se do të renditeshin në mes të klasifikimit për mënyrën se si ishin. Në fillim të këtij sezoni nuk ishin kurrsesi pranë asgjëje.

Mendoj se mbipaguan për Antonin, mbipaguan për Kasemiron. Dukej si paniku i zakonshëm i Junajtid. Duhet të themi se në momente si kjo ne nuk duhet të shkojmë shumë larg, por puna që trajneri ka bërë, jo vetëm në fushë, por edhe me lojtarët, sesi i ka bashkuar dhe ka ndërtuar shpirtin e skuadrës, por edhe mënyrën se si i ka menaxhuar situatat e rëndësishme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat