Martinez flet për rolin e Ronaldos në kombëtaren e Portugalisë

Futboll

Martinez flet për rolin e Ronaldos në kombëtaren e Portugalisë

Më: 10 janar 2023 Në ora: 00:06
Martinez dhe Ronaldo

Roberto Martinez është trajneri i ri i kombëtares portugeze dhe shumë janë të interesuar të dinë se çfarë roli do të luajë Cristiano Ronaldo nën drejtimin e tij.

Trajneri spanjoll ka qenë në krye të Belgjikës për gjashtë vite e gjysmë, por ai nuk arriti të fitojë një trofe me një skuadër jashtëzakonisht të talentuar.

Tani ai do të ketë në duart e tij një Portugali të etur për tituj dhe lojtarë si Bernardo Silva dhe Bruno Fernandes, si dhe yje në rritje si Goncalo Ramos, Rafael Leao dhe Joao Felix.

Ai do të përpiqet të arrijë me ta atë që nuk e arriti kurrë me talentin e pashtershëm belg që e komandonte.

Përveçse në krye të Belgjikës, Martinez ka trajnuar në Premier League, skuadra si Wigan Athletic dhe Everton.

Me Wigan, ai e fitoi Kupën FA, duke mposhtur Manchester Cityn falë një goditjeje me kokë të vonë të Ben Watson.

Tani në Portugali, Roberto Martinez do të ketë për detyrë të menaxhojë brezin e ri të artë portugez, si dhe të marrë një vendim për të ardhmen e Cristiano Ronaldos në ekip.

Ndeshjet e tij të para janë planifikuar në mars, kundër Lihtenshtajnit në Lisbonë dhe një udhëtim në Luksemburg, të dyja pwr kualifikimet e Euro 2024.

Pyetja e parë u bë, siç pritej, nëse ai ende po mendon të thërrasë Cristiano Ronaldon.

“Vendimet e futbollit duhet të merren në fushë”, tha Martinez.

“Unë nuk jam një trajner që merr vendime në një zyrë”.

“Pika ime e fillimit është t’i takoj të gjithë sot, të kontaktoj të gjithë lojtarët”.

“Lista me 26 lojtarë nga Botërori i kaluar është pika ime e fillimit dhe Cristiano është një lojtar në atë listë”.

“Ka 19 vite në kombëtare dhe e meriton respektin për t’u ulur e për të biseduar. Dhe nesër do të fillojmë të flasim dhe të njohim njëri-tjetrin dhe Cristiano është njëri prej tyre”.

“Kam një ide të qartë për strukturën dhe rolet e stafit të trajnerëve. Do ta shpall në ditët në vijim. Do të doja të sjell një asistent portugez, një ish-lojtar të kombëtares”.

“Ai do të jetë i rëndësishëm për stafin stërvitor dhe do të na japë një përshpejtim për futbollin portugez. Unë nuk besoj në sisteme. Unë mendoj se ju duhet të nxirrni talentin për të fituar ndeshjet”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat