Tetë fitore rresht pa pësuar gol, Juventusi tani është për titull në Serie A

Futboll

Tetë fitore rresht pa pësuar gol, Juventusi tani është për titull në Serie A

Më: 9 janar 2023 Në ora: 07:52
Danilo

Rivaliteti në kampionatin elitar italian ka hyrë në një fazë shumë agresive, që do të thotë se lufta për pikë është e fortë dhe pretendimet e disa skuadrave për titull kanë bërë që kreu të jetë me duele interesante dhe emocionuese. Ndërkohë, Juventusi ka shënuar në fundjavën që lamë pas fitoren e tetë rresht në Serie A dhe nuk ka pranuar gol në këtë seri të jashtëzakonshme. “Zonja e vjetër” të shtunën në mbrëmje fitoi përballë Udinezes, ndonëse me vështirësi.

Golin e vetëm në fitoren 1:0 në xhiron e 17-të të elitës së futbollit italian, e shënoi braziliani Danilo, që u asistua nga Federiko Kieza. Danilo realizoi në minutën e 86-të. Para nisjes së takimit pati një minutë heshtje për të nderuar legjendat e futbollit italian, Xhianluka Viali dhe Ernesto Kastano, që vdiqën në fillim të këtij viti. Juventusi tani ka 37 pikë dhe ka hyrë seriozisht në garë për titull kampioni, ndonëse me konkurrentë të fortë sivjet. Udineze mbetet në mesin e tabelës me 25 pikë. Ndërkohë, të shtunën Interi ngeci në një barazim 2-2 në Monza pas fitores së madhe ndaj Napolit kryesues. Nënkampionët e Italisë protestuan për golin e anuluar të Açerbit, ndërkohë që tifozët kanë mbetur të zhgënjyer edhe nga paraqitja negative e Romelu Lukakut. Sulmuesi belg ka humbur shumë nga shkëlqimi me Konten në stol. Ndaj Monzës zbriti në fushë në minutën e 55-të, por bëri gjithçka keq. Formë e dobët, probleme me stopimet dhe gafa elementare.

Gazetari italian, Enriko Mentana, i njohur si një tifoz i thekur i Interit, nuk e kursyer ironinë dhe sarkazmën kundrejt sulmuesit 29-vjeçar në një postim në rrjetet sociale. “Monza e meritoi barazimin ndaj Interit. Më bëri përshtypje performanca e qendërmbrojtësit të Monzës: Romelu Lukaku”. Ditën e djeshme Lacio dhe Empoli s’morën më shumë se nga një pikë secila, pasi barazuan me rezultatin 2:2. Ishte ndeshje e xhiros së 17-të në Serie A. Lacialët mbesin pa fitore edhe në takimin e tretë rresht. Hysaj te Lacio u inkuadrua në lojë në 20 minutat e fundit të këtij takimi.

Tek Empoli ndeshjen e kompletoi qendërmbrojtësi Ardian Ismajli, ndërsa nga minuta e 76-të u inkuadrua Nedim Bajrami. Portieri i Kosovës, Samir Ujkani, ishte në bankën rezervë. Felipe Anderson në minutën e dytë dhe Matia Zakanji në minutën e 54-t shënuan për epërsinë 2:0 të Lacios. Empoli rikthimin e madh e bëri në 10-të minutat e fundit. Françesko Kaputo në minutën e 83-të shënoi për 2:1, ndërsa Razvan Marin shënoi në minutën e 94-t.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat