Silvinjo prezantohet sot nga Duka, por Kombëtaren e gjen të hallakatur e pa bosht

Futboll

Silvinjo prezantohet sot nga Duka, por Kombëtaren e gjen të hallakatur e pa bosht

Më: 9 janar 2023 Në ora: 07:51
Trajneri brazilian Silvinjo

Trajneri brazilian Silvinjo do të dalë sot në një konferencë për shtyp, ku do të prezantohet nga kreu i FSHF-së Armand Duka si teknik i përfaqësueses së Shqipërisë. Disa detaje të kontratës janë bërë të ditura tashmë, por ajo që pritet me interes është pikëpamja e trajneri brazilian në lidhje me grupin që do të marrë në dispozicion dhe për objektivat që do të shpalosë. Kuptohet, ambiciet e FSHF-së janë që të çojë Kombëtaren në Europian, por a mundet Silvinjo të bëjë mrekullinë e ta realizojë këtë objektiv brenda vitit. Ndeshjet afrojnë shpejt dhe atij i duhet të bëjë llogaritë me kontigjentin që do të ketë. Shqipëria ka lojtarë të mirë që luajnë në kampionate elitare, por nuk ka lojtarë që krijojnë një grup kompakt, me minutazh të plotë dhe lojtarë që bëjnë diferencë në ekipet e mëdha europiane. Parë në këtë kuadër, objektivat që do të shpalosë sot Silvinjo mund të jenë të me përmbajtje delirante, sepse e vërteta është se përfaqësuesja e Shqipërisë në këtë moment që flasim ka një skuadër të hallakatur tërësisht, pa një bosht operues, pa një bërthamë grupi që do të shërbente si shtysë dhe me lojtarë në tërësi që janë jashtë formës së tyre, një pjesë të dëmtuar e një pjesë pa ekip.

Pas prezantimit trajneri nis tur në Europë

Nga burimet e ndryshme që kanë dalë nga FSHF mësohet se trajneri Silvinjo dhe anëtarët e stafit të tij, në ditët në vazhdim Silvinjo do të nisë një tur në Europë për të parë nga afër futbollistët shqiptarë, të paktën ata që janë grumbulluar kohët e fundit. Kjo do t’i shërbejë trajnerit 48-vjeçar për të krijuar një ide më të mirë për grupin e lojtarëve që do të drejtojë. Megjithatë, theksojmë se pavarësisht se halli i trajnerit tanimë është zgjidhur, ajo që harrohet mbetet forma e lojtarëve kuqezinj dhe vazhdimësia e tyre në klubet përkatëse. Nëse Silvinjo do të nisë një tur për t’i ndjekur nga afër, do të krijojë mendimin dhe do të vlerësojë vetëm pak kokrra. Sepse sot futbollistët e ekipit kombëtar kanë probleme me minutat dhe pjesa më e madhe nuk luajnë rregullisht me ekipet e tyre. Një tjetër shqetësim është mungesa e ndeshjeve paraprake. Është e vërtetë që Kombëtarja ka vetëm një ndeshje në muajin mars për kualifikuese dhe dy të tjerat janë në qershor, por lojtarët duhen në gjendjen fizike më të mirë. Në këtë moment që prezantohet trajneri, nëse i hidhet një sy listës së lojtarëve, problem është minutazhi i paktë i lojtarëve.

Gjendja e grupit

Janari i ka gjetur lojtarët e Kombëtares me probleme jo të vogla: Dy portierët kryesorë nuk janë titullarë, Strakosha vetëm një ndeshje në Kupë këtë sezon, ndërsa Berisha asnjë paraqitje. Alternativë mbetet Kastrati, i cili po luan, por i mungon eksperienca. Marash Kumbulla luan pak minuta tek Roma e Murinjos, Hysaj e nis nga stoli, Dermaku i dëmtuar, Broja i dëmtuar, Veseli s’po gjen hapësira as në Serie B, Gjimshiti pas dëmtimit ka oshilacione, Asllani tek Interi pak minuta në fushë, sulmuesit të gjithë të dëmtuar, po ashtu shumica e mesfushorëve. Të vetmit që po luajnë rregullisht janë Ivan Balliu, Ardian Ismajli, Enea Mihaj dhe Ardian Bajrami, ky i fundit në kampionatin U-23 në Portugali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat