​Plepolli analizon futbollin e Kosovës, kombëtarja të kualifikohet në Evropian, ndryshe të shkarkohet Giresse

Futboll

​Plepolli analizon futbollin e Kosovës, kombëtarja të kualifikohet në Evropian, ndryshe të shkarkohet Giresse

Më: 8 janar 2023 Në ora: 12:55
Arsim Plepolli

Trajneri dhe analisti i njohur, Arsim Plepolli vlerëson se rritja e cilësisë në futbollin e Kosovës ka vazhduar edhe gjatë vitit 2022 me hapa gjigant. Suksesi si ai i Ballkani por edhe i skuadrave të tjera, sipas tij, janë pasqyrë e qartë se futbolli vendor është në rrugën e duhur të zhvillimit.

Ai vlerëson se përveç rritjes së cilësisë, ajo tek e cila duhet të fokusohen klubet, është puna me talentët e rinj, pasi kjo sjellë përfitime të mëdha në shumë drejtime.

Plepolli: Të punojmë më të rinjtë për ta vazhduar rritjen e cilësisë në futbolli

“Çdo vit që po e kalojmë, cilësia është vetëm duke u ngritur. Po i shohim edhe garat evropiane që e tregojnë pasqyrën e vërtetë të sportit. E kemi parë Ballkanin, Dritën që janë me meritë në vendin e parë dhe dytë, më duket me pikë të barabarta...E kemi parë një Ballkan me disa ekipe që janë milionëshe edhe me buxhete shumë të mëdha dhe nuk u bëjke ajo diferenca e madje me dy ekipeve, thuajse Ballkani në disa sekuenca në lojë ishte më i mirë se kundërshtarët e tyre. Kjo tregon që futbolli ka ngritje, por çfarë duhet të bëjmë më shumë, duhet t’iu japim rastin të punojmë më rini më shumë, mos të kënaqemi me vetëm disa dalje në Evropë sepse e dimë që edhe fokusi edhe menaxhera edhe skauta e kanë vendosur syrin nga Kosova sepse ne fatmirësisht kemi rini, kemi klube të futbollit shumë, por kemi edhe talentë të mëdhenj.”, tha Plepolli.

Sa i përket luftës për titullin kampionë në Superligë, Plepolli ka mendim të qartë. Sipas tij, vetëm Drita dhe Ballkani janë në këtë garë dhe se nuk sheh rivalë të tretë.

Plepolli: Drita dhe Ballkani luftojnë për titull, s’ka rival të tretë

“Vetëm këto të dy mund t’i shoh për titull, duke e parë edhe kualitetin por edhe diferenca e pikëve, nuk është aq shumë e madhe, por duke marrë parasysh gjithmonë rrjedhat se si po shkojnë në ekipet tjera, tani fatkeqësisht duhet ta përmendim Gjilanin, kemi një Gjilan që ka qenë shembull për klubet e Superligës por po e shohim që një sponsor që është i fortë, kur po largohet nga një ekip, atëherë po demoralizohen ekipet dhe nuk po kanë qasje të gjejnë sponsorë të tjerë që mund t’i përmbushë kriteret e futbollistëve. Prandaj, unë nuk mund ta shoh ekipin e tretë që mund të luftojë për titull.”, theksoi Plepolli.

E derisa vlerëson rritjen e cilësisë në futboll, Plepolli në intervistën për KosovaPress, thotë se ka ngecje të mëdha në ndërtimin e infrastrukturës. Sipas tij, Ministria e Sportit duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim, derisa shton se presidentit të FFK-së, Agim Ademit, duhet hequr kapelën për punën që po e bënë.

Plepolli: Ministria e Sportit të bëjë më shumë në infrastrukturë

“Sa i përket Ministrisë së Sportit, duhet të bëjë shumë më shumë për sportin sepse nuk është justifikim të themi janë shtrenjtuar gjërat jo nuk kemi pasur. Qe 22 vite sa jemi ne, ku jemi deri tani. Ne i kapemi federatës se iu është bërë alibi federata. Federata i ka bërë mbi 12 stadiume që nuk e ka obligim...Po e shohim që e kemi problem edhe kombëtarja, një stadium të Prishtinës nuk e kemi, a nuk është mëkat për gjithë komunitetin sportiv që të paktën të mos i kemi dy apo tri stadiume në arenën ndërkombëtare t’i zhvillojmë...Ministria e Sportit duhet të bëjë diçka më shumë, e jo të merret me do imtësira e gjera të vogla. Ne duhet ta ngrisim futbollin, e jo të shohim vetëm keq...E kemi parë, jo duhet federata, duhet ta kuptojmë një gjë, nuk e ka obligim t’ua bëjë fushat klubeve, unë po habitem që i ka bërë 12 fusha për një kohë të shkurtër. Dorën në zemër presidentit të federatës, Agim Ademit, duhet hequr kapelën.”, ka shtuar Plepolli.

Duke folur për Kombëtaren e Kosovës, Plepolli thotë se kualifikimi në Kampionatin Evropian 2024, është objektivi që duhet arritur me çdo kusht, në të kundërtën, sipas tij, trajneri Alain Giresse duhet të shkarkohet.

Plepolli: Giresse të shkarkohet nëse nuk e kualifikon Kosovën në Kampionatin Evropian

“Fuqi kemi, besoj që kemi por nuk duhet harruar që edhe ekipet që i përmende në fjalë nuk janë ekipe të lehta, sepse siç e duam ne kualifikimin, të gjitha e duan. Por, ne duhet të jemi optimistë, duhet kërkuar gjithmonë përkrahje. Përkrahjen nga tifozët e kanë, përkrahjen nga federata e kanë, futbollistët i kemi në top formë, Giresses nuk di tjetër çfarë duhet t’i bëjmë. Nëse nuk na kualifikon, duhet me një mirënjohje ta falënderojmë që ka qenë këtu dhe t’ia hapim rrugën dikujt tjetër, sepse përveç kualifikimit, unë nuk pajtohem me asgjë tjetër.”, tha Plepolli.

Në fund, Plepolli foli edhe për të ardhmen e tij. Ai shpreh i hapur për ta drejtuar ndonjë prej skuadrave të Superligës së Kosovës, por ka një kusht.

Plepolli: Jam i hapur për ta drejtuar ndonjë klub të Superligës së Kosovës

“Kam pasur disa bisedime me vite të tëra. Unë e kam një princip timin si i ri dhe nuk dua të shkelë në ‘dërrasë të kalbur’. Dua ta kem stafin tim, një punë profesionale...Jam i hapur, për mua ndoshta mendojnë që jam i ri, nuk kam përvojën e duhur, por po iu them, mos paragjykoni sepse pa e parë një njeri se si punon. Unë mendoj që mund t’i jap futbollit shumë dhe për mua trajner i madh është jo kush e vizaton terrenin, por kush e ndjenë lojën, ai është trajner i madh.”, tha në fund Plepolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat