Dybala: Një zë më foli te penalltia

Futboll

Dybala: Një zë më foli te penalltia

Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 16:26
Dybala

Paulo Dybala nuk pati një Botëror prej protagonisti, edhe pse fakti që ishte i pranishëm në skuadrën që udhëtoi drejt Katarit ishte tashmë një mrekulli për dëmtimin që sulmuesi pësoi vetëm një muaj para nisjes së kompeticionit.

Kjo nuk e pengoi ama 29- vjeçarin e Romës që të vendoste emrin e tij në suksesin e Argjentinës, pasi ishte një prej katër lojtarëve që shënuan penalltitë vendimtare në finale ndaj Francës, edhe pse ishte ndoshta ekzekutuesi më i keq i saj. Në një intervistë për kanalin argjentinas “Tyc Sports”, Dibala tregoi një prapaskenë mbi penalltitë dhe përjetimet e tij si kampion bote.

PENALLTIA – “Kur trajneri më thirri për t’u futur në lojë, sigurisht që e dija që ishte për penalltitë, sepse ishin minutat e fundit të lojës. Atëherë e dija se duhet të ishte momenti që duhet të isha gjakftohtë më shumë se kurrë.

Nuk ishte e lehtë, sepse nuk të ndodh çdo ditë të luash në finalen e Kupës së Botës. Rruga drejt pikës së bardhë m’u duk shumë e gjatë, ndërsa Koman para meje kishte gabuar. Para se të nisesha Martinez u afrua për të këshilluar të godisja në mes të portës, sepse Loris hidhej gjithmonë në krah. Ndryshova mendje në minutën e fundit dhe falë Zotit e dëgjova, sepse Loris u hodh pikërisht në krahun që unë kisha vendosur të godisja”.

PËRJETIMET – “Realizimi i asaj penalltie ishte një ndjenjë e veçantë, por më pas ai triumf ishte i jashtëzakonshëm, një ndjesi e pabesueshme, të cilën nuk e di nëse ndonjëri prej nesh do ta përjetojë më. Nuk arrij dot ta përshkruaj me fjalë gëzimin dhe lumturinë. U jemi me të vërtetë mirënjohës të gjithë njerëzve pasi e dimë se kanë vuajtur bashkë me ne dhe tani na takon të argëtohemi. Ka qenë finalja më e bukur e të gjitha Botëroreve. Jam i lodhur, por shumë i lumtur dhe tani do ta gëzoj triumfin në vendlindje me njerëzit e mi".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat