FSHF nis sezonin e dytë të programit “Playmakers” me Disney & UEFA

Futboll

FSHF nis sezonin e dytë të programit “Playmakers” me Disney & UEFA

Më: 17 dhjetor 2022 Në ora: 11:18
FSHF nis sezonin e dytë të programit “Playmakers” me Disney & UEFA

Për të mbështetur sa më shumë futbollin e fëmijëve e veçanërisht atë të vajzave, Federata Shqiptare e Futbollit po organizon për të dytin sezon programin “Playmakers”, në bashkëpunim me kompaninë e famshme “Disney” dhe UEFA-n.

Në Shqipëri, ky program përfshin përpjekjet e vazhdueshme të FSHF-së për të punuar ngushtë me shkollat dhe kopshtet për të siguruar më shumë mundësi për vajzat që të dashurohen me futbollin. Një bashkëpunim emocionues me “Disney” që është krijuar për të frymëzuar vajzat e moshës pesë deri në tetë vjeç, të cilat nuk kanë luajtur kurrë futboll, për të përjetuar lojën për herë të parë.

Programi synon t’i familjarizojë vajzat me futbollin duke siguruar një mjedis posaçërisht për to me në fokus argëtimin, miqësinë dhe futbollin; të zbatojë një qasje të re, të personalizuar të trajnimit/stërvitjes, që përdor imagjinatën (frymëzuar nga historitë dhe personazhet e Disney) si mjet për stërvitjen dhe të mësuarit e aftësive në futboll; si edhe të përmirësojë aftësimin fiziko-teknik të vajzave dhe të nxisë një marrëdhënie të përhershme me futbollin.

Në Shtëpinë e Futbollit është zhvilluar sot trajnimi i radhës për vajzat e angazhuara në këtë projekt, të cilat vijnë nga qytetet të ndryshme të vendit e të cilat do të jenë edhe trajneret e reja që do të punojnë me vajzat e vogla nëpër shkolla e kopshte në kuadër të projektit “Playmakers”.

Përveç disa pjesës teorike, është zhvilluar edhe një seancë praktike, ku morën pjesë një grup vajzash nga një shkollë e Tiranës.

Trajnerja Entela Ndreka shpjegon se synimi i programit “Playmakers” është të familjarizojë më tepër vajzat e vogla me futbollin përmes argëtimit dhe imagjinatës, duke treguar histori përmes personazheve të Disney-t. Ndreka thekson se sezoni i parë është pritur shumë mirë dhe synohet që vajzat e moshës 5-8 vjeç të angazhohen me futbollin për të bërë një jetë edhe më aktive.

“Ky është sezoni i dytë, pra ne kemi përfunduar tashmë një sezon me dy programe, duke pasur si referim personazhet e dy filamave “Incredibles” dhe ‘Frozen’ të Disney. Ky projekt është pritur shumë mirë nga vajzat e vogla, ka një dëshirë shumë të madhe nga kjo moshë për t’u angazhuar në futboll.

Tani që nisim sezonin e dytë besoj se do të jetë akoma më shumë frytdhënëse, sepse vajzat sapo kanë parë edhe finalet e Botërorit, që të gjitha janë shumë të emocionuara për ndeshjet dhe lojtarët, duan që të luajnë dhe të shënojnë gola. Ky projekt synon që mësojë vajzat e vogla të luajnë futboll duke u bazuar te personazhet e Disney-t dhe besoj se edhe ky sezon i dytë i projektit do të jetë mjaft i mirë dhe urojmë që sa më shumë vajza të vogla të angazhohen gradualisht me ekipe futbolli dhe ta ushtrojnë këtë sport”, – thotë Entela Ndreka për Fshf.org.

Më tej, ajo bën edhe një analizë të punës së bërë gjatë sezonit të kaluar dhe rezultateve duke shtuar: “Vitin e shkuar ne kemi trajnuar rreth 20 vajza në rolin e trajnerit, të cilat tashmë janë pjesë e ekipeve dhe e ndjekin programin Playmakers pranë klubeve të tyre ose shkollave, duke qenë se mosha që ne synojmë të stërvitim janë nga mosha 5 deri në 8 vjeç, të cilat janë të vogla, por që kanë shumë dëshirë e vullnet për t’u marrë me futbollin”.

Gjithashtu, trajnerja e programit “Playmakers” shprehet se interesi për t’u bërë pjesë e kësaj nisme të FSHF-së ka qenë i lartë dhe se vajzat që marrin pjesë argëtohen përmes personazheve të tyre të preferuar të filmave vizatimorë dhe futbollit.

“Mendoj që ky program i radhës do të ketë edhe më shumë produkt, sepse fëmijët kur janë të lumtur me futbollin kanë tendencën ta ndajnë sa më shumë te shoqëria këtë ndjesi dhe të kenë më shumë dëshirë për t’u përfshirë në këto projekte. Kjo është hera e dytë që ne trajnojmë trajnere, që do të thotë se prurjet janë shumë të larta. Sa i përket vajzave trajnere, përshtypjet e tyre janë shumë pozitive me atë çfarë presin nga ky projekt, duke qenë se projekti vetë ka në gjenezë dëshirën e madhe për të dashur futbollin. Pra nuk është nevoja domosdoshmërisht që ne të bëjmë kampionate me këto grup-mosha. Kemi vajza që mund të bëhen në të ardhmen pjesë e grupeve dhe ekipeve më të mira të Shqipërisë apo të botës, fundja varet e gjitha nga vullneti dhe nga aftësia jonë për të nxjerrë talente dhe besoj që do të jetë një gjë shumë e bukur, sepse gjithmonë kur kemi bërë këto seanca vajzat janë shumë të kënaqura dhe të lumtura”, – tha Entela Ndreka.

Programi “Playmakers” synon të zhvillojë një mjedis futbolli ku çdo vajzë mund të gjejë një vend të sigurt dhe të kënaqshëm për të luajtur, teksa do të ndihmojë FSHF-në që të angazhojë vajzat e reja që luajnë futboll për herë të parë dhe të krijojnë mundësi që ato të luajnë rregullisht, duke ndihmuar kështu në rritjen e pjesëmarrjes së përgjithshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat