Yjet e Francës sfidojnë “murin” maroken

Futboll

Yjet e Francës sfidojnë “murin” maroken

Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 13:12
Yjet e Francës sfidojnë “murin” maroken

Lionel Messi është në pritje të kundërshtarit që do të ketë të dielën e 18 dhjetorit. Franca, kampionia në fuqi e Botës do të tentojë që të shkojë sërish në finalen e madhe, por do të ketë një gjysmëfinale të vështirë kundër Marokut. Surpriza e këtij edicioni eliminoi Portugalinë, Belgjikën dhe Spanjën dhe tashmë do tentojë që të përsërisë të njëjtin sukses edhe kundër “gjelave”.

Lajmi i mirë për trajnerin Deschamps është fakti se nuk do të ketë asnjë të dëmtuar apo të skualifikuar për duelin e mbrëmjes së sotme. Rabiot dhe Tchouameni do të konfirmohen në mesfushë, ndërkohë që përpara do të ketë “armatim të rëndë”. Mbappe, Griezmann dhe Dembele do të mbështesin Oliver Giroud, i cili po kalon një formë fantastike.

Në këtë ndeshje marokenët nuk do të kenë futbollistin Cheddira, i cili doli me karton të kuq kundër Portugalisë. Në dyshim të madh për shkak dëmtimi është kapiteni Romain Saiss, por dhe mbrojtësi Aguerd. Në mesfushë lideri do të jetë Amrabat, ndërkohë që në sulm Boufal dhe Ziyech do mbështesin En-Nesyri.

Statistikat që duhet të dini

– Franca nuk ka humbur asnjëherë kundër Marokut, në pesë takimet e tyre të mëparshme miqësore (3 fitore, 2 barazime). Ndeshja e fundit ishte një barazim 2-2 në Saint-Denis në nëntor 2007.

– Franca ka pasur fitore dhe humbje në sfidat e fundit ndaj ekipeve afrikane. “Gjelat” humbën 1-0 ndaj Tunizisë në sfidën e grupeve. Asnjë skuadër nuk ka humbur kundër dy ekipeve afrikane në të njëjtin Botëror.

– Asnjë lojtar kundërshtar nuk ka shënuar kundër Marokut deri më tani në Kupën e Botës.

Goli i vetëm i pësuar është një autogol kundër Kanadasë. Ata kanë mbajtur portën katër herë të paprekur, duke barazuar dy skuadra që e kanë bërë diçka të tillë më parë, por dhe kanë ngritur trofeun. Bëhet fjalë për Spanjën në 2010 dhe Italinë në 2006.

– Maroku është i pamposhtur në 6 ndeshjet e fundit (3 fitore dhe 3 barazime), ecuria më e mirë nje skuadre afrikane në Kupën e Botës.

– Antoine Griezmann ka qenë i përfshirë në 8 gola në 8 ndeshjet e fundit që e ka nisur si titullar (ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 5 asistë). Ai ishte vendimtar në dy golat e shënuar kundër Anglisë në çerekfinale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat