Martinez kundër Livakoviç!

Futboll

Martinez kundër Livakoviç!

Më: 13 dhjetor 2022 Në ora: 15:09
Martinez kundër Livakoviç!

Të gjithë sytë e botës janë nga Mesi e Modriç, por teksa Argjentina dhe Kroacia presin të ndajnë biletën për në finalen e madhe, protagonistët e vërtetë mund të bëhen dy portierët, Martinez për “Albiçelestët” dhe Livakoviç për ballkanasit. Ata janë bërë të famshëm ditët e fundit, njëri sepse ndali Holandën, duke çuar Argjentinën në gjysmëfinale, tjetri se ndali Japoninë e Brazilin për të çuar Kroacinë mes katër më të mirave të botës.

E nëse Martinez e Livakoviç janë bërë të famshëm në Katar, një faleminderit i tyre i shkon një ishdrejtuesi të federatës izraelite, personi që shpiku pikërisht penalltitë. Ishte Jozef Dagan, ish-gazetar dhe ishsekretar i federatës izraelite, i cili shpiku penalltitë pas kohës shtesë pas Lojërave Olimpike në vitin 1968-të. Shkaku? Izraeli ishte eliminuar me short “kok-a-pil” pas barazimit 1-1 me Bullgarinë në 120 minuta lojë. “Debutimi” i penalltive në një eveniment madhor, Botëror a Europian do të vinte në vitin 1976-të, në finalen mes Gjermanisë Perëndimore dhe Çekosllovakisë. Gati gjysmë shekulli më vonë, nëse Argjentina dhe Kroacia do të garojnë për një vend në finale, një dorë mund t’i japin pa diskutim dhe Emiliano Martinez dhe Dominik Livakoviç.

KROATI PËR REKORD – Mes të dyve, pa diskutim, portieri i Kroacisë ka qenë ai që ka shkëlqyer më shumë. Po flasim për një student 27- vjeçar që studion marrëdhënie ndërkombëtare. Kroacia ka mbërritur në gjysmëfinalet e Botërorit, ndonëse në fushë ka fituar vetëm një takim, atë ndaj Kanadasë. Pjesa tjetër vetëm barazime (në Marokun e Belgjikën në grup dhe dy barazime me Japoninë dhe Brazilin përkatësisht në 1/8-at dhe çerekfinale). Kundër Japonisë në 1/8-at e finaleve ai priti 3 penallti (Minamino, Mitoma e Joshida). Ndaj Brazilit priti një tjetër penallti (Rodrigo). Gjithsej i janë drejtuar 8 penallti, nga të cilat ka pritur 4, shton dhe një shtyllë, atë të Markinjos ndaj Brazilit. Një përbindësh që vjen nga një familje e ngritur nga Zadari, sikurse legjenda e gjallë e Kroacisë, Luka Modriç.

ARGJENTINASI GJAKNXEHTË – Edhe ai vjen nga një profil i ulët, të paktën në nivel klubesh. Luan për Aston Vilën në Premier, por i ka mjaftuar takimi kundër Holandës në çerekfinale për t’u bërë i famshëm. Martinez është 30 vjeç dhe të gjithë e thërrasin “Dibu” për shkak të një filmi të animuar që shfaqej në Spanjë kur Emiliano Martinez ishte ende fëmijë. E ka “privatizuar” këtë emër pa u nisur për në Katar, duke botuar dhe një libër me figura të titulluar pikërisht “Dibu”. Ai erdhi në Europë kur ishte 17 vjeç, me Arsenalin që e mori nga Indipendiente. Por karriera e tij ka qenë bredharake: Oksford Junajtid, Shefild Uendsdej, Rothërham, Uolverhempton (Angli), Getafe (Spanjë), Reding (Angli) dhe tashmë ka gjetur strehë tek Aston Vila në Premier (2020). Në vitin 2021 gjen vend edhe tek Argjentina, ku është menjëherë protagonist në Kupën e Amerikës së Jugut. Në gjysmëfinale i pret 3 penallti Kolumbisë. Në Botëror i jep biletën për në gjysmëfinale Argjentinës, duke i pritur dy penallti Holandës (Van Dajk e Berghuis). Jo shumë i këndshëm, duke provokuar holandezët në fund.

TE PENALLTITË? – Deri më tani në Botëror, katër takime janë vendosur nga penalltitë, në dy prej tyre është përfshirë Kroacia, në një të tretë Argjentina. Ndaj nuk përjashtohet fakti që dhe bileta e parë e finales të vendoset nga 11 metrat. Kroatët kanë fituar gjithnjë nga pika e bardhë gjatë historisë së tyre në Botërorë (4 fitore në 4 ndeshje). Por dhe Argjentina nuk është keq, 5 kualifikime në 6 takime nga lotaria e penalltive. Ndaj pyetja shtohet nëse do të shohim Argjentinë-Kroaci apo Martinez-Livakoviç?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat