Reja: Katar kundërshtar më i fortë

Futboll

Reja: Katar kundërshtar më i fortë

Më: 5 nëntor 2022 Në ora: 13:41
Reja: Katar kundërshtar më i fortë

Për trajnerin e Kombëtares “kuqezi”, Edoardo Reja-n ishte skuadra e Shqipërisë ajo që meritonte fitoren në miqësoren ndaj Arabisë Saudite.

Duke folur në konferencën për mediet përpara miqësores ndaj Katar, ndeshje e cila do të zhvillohet më datë 9 nëntor në orën 18:30, tekniku theksoi se lojtarët që luajnë jashtë vendit kanë më shumë eksperiencë se futbollistët që janë pjesë e Superiores.

Më tej Reja theksoi se disa emra të grumbulluar në këto miqësore me Kombëtaren i kanë pëlqyer dhe shton se ndoshta mund t’i ftojë sërish në të ardhmen.

Katar pas Arabisë Saudite, edhe pse me pak ndryshime. Ku ndryshon kjo miqësore nga e para dhe çfarë prisni ju ndryshe nga kjo miqësore? “Ne vazhdojmë punën për të vëzhguar lojtarët e kampionatit shqiptar, për t’i evidentuar dhe për të bërë përzgjedhjet. Me Arabinë Saudite bëmë një paraqitje të mirë, mbase meritonim edhe fitoren. Ajo iku tashmë kemi një ndeshje më të vështirë, atë me Katarin, që është një kundërshtar që ka dy vite që përgatitet për Botërorin. Është një skuadër shumë e fortë dhe shumë e mirë teknikisht dhe kjo për lojtarët tanë është një test për të provuar dhe treguar veten për të merituar një vend në Kombëtare.

Nga 1-10, ku qëndron kjo Kombëtare e krijuar nga Superiorja? “Jam i bindur se ky grup do të bëjë një paraqitje shumë të mirë, por nuk mund të bëjmë një vlerësim individual të lojtarëve, por dihet që lojtarët që luajnë jashtë kanë më shumë eksperiencë. Jam i bindur që këta lojtar janë shumë të mirë, por s’mund të bëj një krahasim me Kombëtaren kryesore.”

A ka spikatur ndonjëri nga këta lojtar që janë afruar së fundmi me Kombëtaren? “Kam disa lojtar që më kanë lënë përshtypje të mirë dhe ndoshta mund t’i ftoj në të ardhmen, por nuk do të them emra, pasi për mua janë të gjithë lojtarët e thirrur të mirë. Ajo që do bëjë ndryshe me Katar nga Arabia Saudite, ndoshta këtë herë do të qëndrojnë më shumë minuta në fushë, që të tregojnë veten.

Po me kontratën a kemi ndonjë gjë të re? “Nuk ka ndryshuar asgjë me herën e fundit, nuk ka asgjë, përveçse kur të mbarojë kontrata do të ulemi dhe do të diskutojmë.”

A mendoni vërtetë se lojtarët e Superiores ia vlejnë për t’u ftuar në të ardhmen në Kombëtare? “Ka shumë aspekte të mira të kampionatit shqiptar siç ka edhe mangësitë e veta. Mund të bëj një krahasim me Seria A, edhe në Itali thuhet se Seria A është me e dobët si Premier League psh. Por unë mendoj se ne duhet të punojmë shumë me të rinjtë, pasi lojtarët 17 apo 18 vjeç e kanë marrë bazën, ndaj ne duhet të punojmë shumë me moshat, për të formuar lojtarët në aspektin taktik.

Pasi kam parë shumë lojtarë te ndeshja me Arabinë Saudite që fizikisht ishin mirë, por te pjesa taktike apo eksperienca kishin problem. Megjithatë po të shohësh Kombëtaren U-17 ka një përmirësim dhe duhet punuar me këto mosha. Për lojtarët e kampionatit shqiptar kjo gjë është shumë e mirë që të marrin eksperiencën.

Disa lojtar që nuk janë grumbulluar kanë pretendime si psh Rroca që luan në Turqi, a do kenë ata një mundësi? “Lista është një diskutim i përhershëm, ka lojtarë që do donin të ishin, por ne nuk mund t’i marrim dot të gjithë. Po të shohësh listën mosha më e madhe është rreth 25 vjeç. Kam bërë disa përzgjedhje që unë i kam parë si më të përshtatshme sa i përket së ardhmes. Një problem tjetër është që klubet nuk mund t’i japin lojtarët shumë kollaj, ne kemi pasur shumë lojtarë në dëshirat tona, por klubet nuk na i kanë dhënë pasi kanë ndeshje.

Ndeshjet e radhës: “Duam që të bëjmë një paraqitje shumë të mirë, pasi ekipi është rritur. Ne mund të luajmë shanset tona për Euro 2024, sigurisht kemi kundërshtarë si Polonia apo Çekia, por nëse nuk bëjmë gabime kemi mundësinë për të dalë të dytët.

Miqësoret na shërbejnë për të parë një rritje dhe lojtarët kanë rast për të treguar vlerat e tyre e për të na bërë krenarë. Me Italinë kemi një ndeshje më të vështirë apo me Armeninë, por ne kemi vetëm një problem që lidhet me faktin se ne duam të tregojmë veten tonë në fushë dhe ky është i vetmi problem që kam parë te Kombëtarja shqiptare".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat