Trajneri Dama dhe lojtarët flasin pas fitores me Ishujt Faroe

Futboll

Trajneri Dama dhe lojtarët flasin pas fitores me Ishujt Faroe

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 11:36
Shqipëria

Kombëtarja shqiptare U-15 arriti të marrë fitoren e parë ndaj bashkëmoshatarëve të Ishujve Faroe ditën e djeshme, në sfidën e vlefshme për turneun ‘UEFA Development’ për këtë grupmoshë. Një tre pikësh shumë i rëndësishëm ky për kuqezinjtë që bindi me lojën dhe e zgjidhi shumë shpejt ndeshjen, duke triumfuar me rezultatin 2-0.

Trajneri Dama dhe dy futbollistët e vegjël, Kris Gecaj dhe Emiljano Mihana dhanë nga një prononcim të shkurtër pas kësaj fitoreje të rëndësishme për fshf.org.

Tekniku kuqezi u shpreh i kënaqur për lojën e kuqezinjve të vegjël, ndërsa theksoi se për të ka shumë rëndësi që grupi është i mirë dhe ka cilësi.

‘Jam i kënaqur më tepër për ato gjëra që ata kanë mësuar të zbatojnë në fushë. Ka dhe gjëra të tjera që duhet punojmë shumë, sidomos me zotërimin e topit, me ndryshimin e krahëve, por që në përgjithësi nuk është se është fitorja ajo që vlente. Më shumë rëndësi ka që ne jemi më të qartë për cilësitë e sportistëve në fushë dhe nga mënyra se si t’i kombinojmë me njëri-tjetrin për të bërë një performancë më të mirë.

Mendoj që është grup i mirë dhe ka cilësi sa i përket individëve që është shumë e rëndësishme për ne dhe na duhet edhe për vazhdimësinë për ekipet e tjera zinxhir të moshave’ – tha trajneri Dama, i cili foli edhe për ndeshjet e radhës, teksa u shpreh se së bashku me skuadrën do analizojnë ndeshjen e parë për të riparuar gabimet..

‘Do vazhdojmë të bëjmë punën tonë, do vazhdojmë të luajmë mirë. Do shikojmë se çfarë kemi bërë në këtë ndeshje dhe do të riparojmë ato gjëra që ne na duhen për ndeshjet në vazhdimësi’ – tha në fjalën e tij trajneri Armand Dama.

Kris Gecaj, talenti kuqezi i cili luan në radhët e Juventusit mbajti shiritin e kapitenit në këtë sfidë, teksa komentoi për fshf.org si ishte debutimi me ekipin kombëtar dhe fitoren e arritur. ‘Të jesh kapiten është shumë e rëndësishme, por në këtë skuadër jemi të gjithë kapitenë. Kjo ishte ndeshja ime e parë në radhët e ekipit kombëtar dhe ishte shumë bukur. Luajtëm shumë mirë dhe fituam’ – tha Kris Gecaj.

Edhe Emiljano Mihana luajti për herë të parë dje me ekipin kombëtar. Ai vlerëson performancën e tij dhe të shokëve të skuadrës si dhe uron që Shqipëria të fitojë sërish në ndeshjet e radhës. ‘Jam shumë i kënaqur me këtë debutim. Kam ardhur edhe disa herë të tjera, jam grumbulluar në të gjitha grupmoshat. Sot bëmë një performancë shumë të mirë dhe uroj të vazhdojmë edhe këto dy ndeshjet e tjera me fitore’ – tha Emiljano Mihana..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat