Pushtuesi serb lëvroi fushën e futbollit ku luanin shqiptarët! Naim Hajrizi - disa herë në bisedë informative 

Futboll

Pushtuesi serb lëvroi fushën e futbollit ku luanin shqiptarët! Naim Hajrizi - disa herë në bisedë informative 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 2 nëntor 2022 Në ora: 15:05
Futbollistët e Besës në këto kushte luanin në Raushiq

A e dini se në ndeshjen e parë në pavarësim në fushën e futbollit në Raushiq, ka shkuar milicia serbe dhe e ka ndërprerë atë, të nesërmen e kanë lëvruar fushën dhe e kanë shndërruar në arë (edicioni 1991 - 1992).

A e dini se në ndeshjen e futbollit mes Besës së Pejë dhe Prishtinës në Raushiq, ishin tubuar rreth 10 mijë shikues.

A e dini se basketbollisti i mirënjohur Naim Hajrizi injoroi ofertën e Rabotniçkit të Shkupit dhe iu bashkua armatës së sportistëve të Kosovës, në rezistencë kundër okupatorit serb.

“Më pyetën milicia serbe pse nuk po luan për Trepçën e serbëve, ia ktheva: ‘Nuk ndihem i sigurt’”, tregon Naim Hajrizi.

A e dini se në Pejë milicia serbe e ka ndërprerë ndeshjen e basketbollit mes Pejës dhe Trepçës, janë maltretuar e rrahur disa basketbollistë.

A e dini se trajneri i klubit të basketbollit Peja, Valdet Spahija, është goditur me shuplakë dhe është arrestuar nga milicia e regjimit serb, pas ndeshjes së ndërprerë Peja – Trepça.

A e dini se basketbollisti Naim Hajrizi është marrë disa herë në bisedë informative nga regjimit serb, duke u pyetur dhe provokuar rëndë përse po luani në Kampionatin e Republikës së Kosovës.

A e dini se Eroll Pepiqi me Dritën është kampion i Kosovës në vitin 1997.

A e dini se aktivitetet e para përgatitore për pavarësimin e basketbollit të Kosovës, datojnë nga mesi i vitit 1991.

A e dini se kontakttet e para ishin bërë midis Rashit Sejdiut, sekretar  dhe i deleguar nga Bashkimi i Shoqatave të Pavarura të Sporteve të Kosovës (BSHPSK) dhe Fadil Dobroshit, duke synuar që të fillojë organizimi i garave të pavarura të basketbollit të Kosovës. 

A e dini se pjesëmarrës në mbledhjen e Kuvendit të Shoqatës së Pavarur të Basketbollit të Kosovës, të mbajtur në Prishtinë në vitin 1991, ishin Tajar Rifati, Agim Kasapolli, Vehbi Bekteshi, Gëzim Spahija, Agim Visoka, Ergin Sherifi, Avdyl Krasniqi, Naser Kabashi, Blerim Vuniqi, Ferit Zekolli, Naim Hajrizi, Vehbi Ibrahimaj, Murat Broja, Valdet Spahija, Bardhyl Nushui, Isuf Lumi, Fadil Dobroshi.

A e dini se në mbledhje nga klubi i futbollit Prishtina shkojnë Ajet Shosholli, ndihmësi i tij Shefqet Sinani dhe të gjithë futbollistët. Këtë takim e drejtonte kryetari i KK Prishtina Zhika Mitroviq, ku të pranishëm ishin edhe strukturat e tjera politike dhe udhëheqëse të klubit dhe të kryeqytetit. Ajet Shosholli jep dorëheqje të parevokueshme, nuk i pranon masat e dhunshme, i bashkohen të gjithë shqiptarët me përjashtim të njërit që mbetet me serbët.

A e dini se në mbledhjen në mesin e tyre ishte edhe shefi i sigurimit Mishko Llakoviq dhe gazetari famëkeq Mishko Iliq.

A e dini se kryetar i Prishtinës u emërua Beqir Aliu, kurse shef i shtabit teknik Ajet Shosholli me ndihmësit Shefqet Sinani dhe Ramadan Cimili dhe fillojnë garat në Kampionatin e parë të pavarur të Kosovës.

A e dini se dy muaj më vonë kësaj kryesie i bashkohet Ahmed Kurtolli, ndërkohë që Shinasi Berisha, pikërisht para ndeshjes së parë Flamurtari - Prishtina emërohet drejtor i klubit. 

A e dini se ekipit të futbollit i printe kapiteni Arbnor Morina, i cili ishte e ngarkuar me detyrë për të kontaktuar me klube dhe organe të tjera sportive të asaj kohe.

A e dini se Prishtina është kampion i parë i Kampionatit të pavarur të Kosovës në futboll, me gjithsejt 32 pikë, dy më shumë se Trepça.

A e dini se Genc Hoxha (Vëllaznimi), është futbollisti më i mirë për vitin 1991, pasojnë  Isa Sadriu (KF Prishtina), Lulzim Salihu (KF Kosova V.), Florim Preniqi (KF Elektroekonimia), Haki Azemi (KF Drita), Sabit Osmani (KF Trepça), Burhan Hamiti (Drenica), Nexhat Elshani (KF Suhareka), Afrim Lama (KF Gjakova ) dhe Fadil Kodraliu (KF Llapi).

A e dini se gazetari nga Maqedonia, Reshat Ibraimi, rrezikonte për t’i xhiruar ndeshjet e Kampionatit të Kosovës në vitet e 90-ta.

“Në TV ‘Hana’ ku punoja unë, kur shkonim në Kamenicë me incizuar Gjilanin ‘95, gjithmonë makinën e kemi lënë Bujanoc, të një kompani e njërit nga sponsorët e KF Gjilani ‘95, Nexhat Beluli dhe e merrnim një makinë të tij Golf 2 dhe vazhdonim rrugën. Me targa të tilla nuk na ndalnin.

Në kufi të Serbisë çdo herë i kemi qeras me banane dhe çokollata milicinë serbe. Në bagazh të makinës, afër kamerës i linim bananet dhe çokolatat. Doganierëve iu shkonte syri të çokolatat”, tregon Ibraimi.

A e dini se kameramani Nazmi Aliti nga Maqedonia, disa herë ishte në rrezik nga regjimi serb. 

A e dini se pjesëmarrësit e Kuvendit historik të 20 gushtit të vitit 1991, u pajtuan që të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme për startin sa më të shpejt të Kampionatit të pavarur të Kosovës në vitin 1991-1992, të parit në organizim të FFK-së.

A e dini se komandanti i njësisë speciale të milicisë serbe, Dragan Gjukiq, i ka marrë në parkun e qytetit të Pejës futbollistët Jeton Osmanajn dhe Burim Domnikun.  

“Kur ka ardh komandanti i njësisë speciale Dragan Gjukiq me na marr në park të qytetit (në stërvitje) mua dhe Burim Domnikun me shku me luajt në ndeshje barazhi për me hy në Ligë të Parë të Kosovës, një ekip serb ku  komandanti ishte kryetar klubi dhe reagimin shumë të papritur prej tij se si ne guxojmë me refuzu!

Unë i thash që nuk mundem me paramenduar me u nda prej rrugës se popullit tim, plus kur nuk shkuam më pyeti për Ekrem Veselin dhe kemi shkuar shpejt e kemi futur dorën në gips.

Ai person është i vrarë në luftime në Lubeniq ose Lëbushë dhe  rastin tjetër kur ka ardh policia në klasë të shkollës fillore në Studençan dhe hynë para ndeshjes me Ballkanin dhe na kanë marr të gjithëve në stacion policor (unë Jetoni, Ekrem Veseli dhe Besim Baloku kem ikë dhe kem mbet me uniforma sportive për fundi rrobave civile), plus ora policore ishte ne ora 22:00. Kem ardh me një autobus lokal deri në Prizren, prej aty në orë policore na ka sjell një autobus enkas veç për neve 3 (sepse kish përfunduar orari i transporteve, ne ju lutem dhe ai rrezikoj), plus kur kem ardh në Gjakovë në ora 01.00 të mesnatës kemi shku te Burim Tara portier i Vëllaznimit dhe na ka pru në Pejë në ora 02.00 të natës.

Kryesia e KF Besa ka shku në Suharekë me na kërku neve dhe jem taku në ora 03.00 ose 04.00 të mëngjesit në Pejë ne dhe kryesia. Plus ja vlen të ceket që kur kemi luajt në qytete tjera gjithmonë garderobën e kemi dërgu një ditë përpara, rasti tjetër në Zllakuqan në stërvitje ne reprezentacion të grupit kur erdhën policia dhe na morën të gjithëve në stacion të policisë nja 3.4 orë e fal Arbon Deskut që bëri të pamundurën e na nxjerri nga policia”, tregon Jeton Osmanaj.

A e dini se malazezi Drago Vujosheviq e thërret Jeton Osmanajn.

“Një rast personal i imi kur më thërret drejtori i qendrës medicionale në Pejë (atë kohë edhe deputet i kuvendit federativ Drago Vujosheviq) unë isha referent i të ardhurave personale në qendër medicionale dhe më thotë a më jep besën e shqiptarit që ki me fol hapur dhe korrekt, i them po e ki besën, thotë po ta jap edhe unë fjalën e malazezit që ta mbaj fjalën, dhe më thotë: A je aq lojtar i mirë që më ka thirr kryetari i Pejës atëherë Mile Ivanoviq dhe më ka thënë gjithsesi me ma pru Jetonin me luajt për Buduçnostin e Pejës (atë kohë në ligën ndërrepublikane).

Unë i them pasi që të premtova po flas pa frikë edhe pse që nga sot e mendoj që mbes pa punë dhe mund të kem edhe pasoja me burg e gjëra tjera, po nuk mund të lejoj veten që me u nda nga rruga e popullit tim (i thash vendose veten në pozitën time), dhe pas bisedës korrekte më thotë që nga sot e derisa të jam unë drejtor këtu ti luaj ku të duash se me punë nuk guxon kush me të shantazhu (realitetin me fol nuk kam pas pasoja me punë që nga ai moment)”, tregon Osmanaj.

 “A e dini se në ndeshjen me KF Opojën kur kemi shku i kemi dërguar pajisjet një dit përpara dhe vendasit (Opoja) na e kanë dhënë një emër të një opojasit i cili kishte dasëm të dielën dhe kur na ndalen në punktin e policisë, ne thamë po shkojmë në dasmë te ai person dhe e kaluam punktin, nuk mund të harrohet posaçërisht ndihma që na e ka dhënë fshati Raushiq gjatë gjithë viteve të pavarësimit sepse aty i kemi zhvillu pothuajse të gjitha ndeshjet në vitet 1991/1998 e si pasojë ato Familje që na kanë ndihmu edhe e kanë pësuar edhe me malltretime e edhe me vrasje. Asnjëherë nuk do të mund të ua shpaguajmë mundin dhe sakrificën fshatit legjendar Raushiq”, thotë Osmanaj. 
A e dini se në vitin 1990 erdhi ultimatumi me humb subjektivitetin e Lidhjes Atletike të Kosovës për me u integruar në Lidhjen atletike të Serbisë.

“Këtu edhe pse kemi kundërshtuar tre mbledhje radhazi organi serb në mënyrë manipuluese dhe te dhunshme e marrin Lidhjen Atletike të Kosovës duke futur masat e dhunshme. Këtu kam qene protagonist i drejtpërdrejtë në 4 mbledhje në të cilat kam kundërshtuar ashpër së bashku me Halil Sylejmanin. 

Me pas e krijuam Shoqatën e pavarur të Atletikës të cilën e shndërruam ne federatë”, tregon Agron Muçaku, atlet veteran dhe trajner i atletikës. 

A e dini se Asllan Jahja qëllohet me pendrek nga milicia serbe.

A e dini se gjyqtari i hendbollit Fahredin Hashani u kërcënua rëndë në Shtime nga milicia serbe.  

“Atë ditë ishim ne Gjilan e kemi gjykuar ndeshjen unë me Ilaz Obertincën, delegat Asllan Jahja, si u krye ndeshja Asllani me tha Fahredin po shkojmë ne Prizren unë ti dhe Skënder Rogova ishte sekretar dhe me gjykuar ndeshjen. Nisem me makinë time për ndeshjen Prizreni - Vellaznimi e me tha ti e gjykon me Ibrahim Zhilivodën në Landovicë ku luanin.

U krye loja dhe u nisem për Prishtinë, Skënderi kishte dokumentacionin me vete gjatë rrugës dhe thamë nëse na ndalin policia të ju thonim se ishim në krye shendosh te një shokë, Mehmeti. Ne të hyrë në Shtime me doli para polici i armatosur me 4-5 polic e me ndaloj dhe duke sharë na tha te dalim jashtë makine, duke dal Asllanit njëri polic tentoj t’i bije me pendrek në kokë por nuk e rroki dhe u rrëzu dhe filluan të shajnë duke na thane se tani ju dërgojmë në burg, pastaj doli një person, agjent nga kafja ku na ndalën dhe ju bërtiti policëve dhe na futen brenda në kafe me na marrë në pyetje një nga një: A po e tregoni të vërteten, duke hyrë në kafe? Polici që me ndali me tha duke na sharë nënën shqiptare se ma shkele këmbën kur u ndal dhe me shtyri. Kishim kërcënime te ndryshme po ju doli pyetja dhe përgjigjja e njëjtë e jona. Pas 2-3 orë na lëshuan, patëm fat se nuk e kontrolluan makinën e mi gjet dokumentet”, Hashani.

A e dini se Arsim Vitaku, hendbollist, i Trepçës, me shokë ka qenë i kërcënuar nga regjimi serb. “Më kujtohet një detaj në Vaganicë në oborrin e shkollës fillore, aty ku i zhvillonim ndeshjet e hendbollit si vendas.

Pak para lojës me Kastriotin e Ferizajt u morën vesh lojtarët mes vete dhe anëtarët e kryesisë së nëse vijnë milicia e Serbisë me kerre menjëherë me heq topin e hendbollit dhe me fut në terren një top të futbolli kinse po luajmë futboll të vogël vetëm si aktivitet i lirë”, kujton Vitaku atë periudhë të rëndë.

A e dini se erdhën milicia serbe dhe i zunë duke luajtur Trepçën dhe Kastriotin, madje kërkuan deklarata nga delegati i ndeshjes si organizator i aktivitetit.

A e dini se në Dumnicë të Podujevës është luajtur hendbolli. 

“Ka qenë fillimi i pranverës, në muajin prill udhëtuam me autobus në Podujevë dhe qysh nga fillimi i lojës filloi me ra shi i ngrohtë i pranverës të gjithë akterët  të lagur nëpër fushë të mbushur me ujë zhvilluam një ndeshje hendbolli të paharruar.

Paramendo topi i lagur kur pa e lëshu në tokë pasohej prej dore në dorë njëjtë si profesionistët e sotit”, tregon Vitaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat