Debutoi për Maqedoninë U17 kundër Francës, flet talenti Aldin Alii

Futboll

Debutoi për Maqedoninë U17 kundër Francës, flet talenti Aldin Alii

Më: 29 tetor 2022 Në ora: 00:19
Debutoi për Maqedoninë U17

Aldin Alii është një nga risitë e seleksionuesit U17 të Maqedonisë së Veriut, Vujadin Stanojkoviç për ndeshjet e turneut kualifikues (raundi i parë) për plasman në fazën elite të kualifikimeve për europianin e ardhshëm në Hungari në vitin 2023.

Talenti 16 vjeçar, i cili luan sulmues krahu dhe mbrojtës anësor, sot bëri debutimin e tij zyrtar, duke luajtur 45 minuta kundër Francës U17, ndeshje e zhvilluar pasditën e sotme në terenin e kompleksit sportiv “Petar Milloshevski” pranë FFM-së.

Edhe pse Maqedonia U17 humbi nga Franca favorite 0-4, Aldini i tha gazetarit të Open-TV, Reshat Ibraimi se për të ky moment ishte i veçantë në karrierën e tij.

“Si fillim është shumë mirë. Disa shokë po më ndihmojnë që të përshtatem edhe më mirë, pasi unë nuk e zotëroj gjuhën maqedonase. Dëshiroj të falenderoj Zotin, prindërit e mi, trajnerët e mi te Winterthur dhe këtu, stafin e reprezentacionit, për mbështetjen, besimin dhe mundësinë e dhënë. Sa i përket ndeshjes mendoj se Franca na fitoi me meritë, por ne shpresojmë se kundër Luksemburgut të japim më të mirën dhe të shënojmë fitoren e parë”, deklaroi për Open-TV, djaloshi i talentuar, Aldin Alii.

Alii është me prejardhje nga Haraçina e Shkupit. Ai ka lindur më 30 shtator të vitit 2006, ndërsa nga mosha U9 dhe deri tani U17/18 është pjesë e FC Winterthur në Zvicër.

Ai mungoi në sfidën e parë kundër U17 të Islandës (0-3).

Maqedonia U17 ndeshjen e fundit në këtë turne kualifikues do të luaj kundër Luksemburgut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat