Gripshi e pranon se po shpreson të transferohet jashtë Kosovës

Futboll

Gripshi e pranon se po shpreson të transferohet jashtë Kosovës

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 19:29
Gripshi

Kur ka mbetur edhe pak kohë deri te fillimi i ndeshjes mes Ballkanit dhe Slavia Pragues, mesfushori i kampionit kosovar, Nazmi Gripshi ka treguar emocionet e deritanishme në Ligën e Konferencës, ku ndër të tjera tha se nuk kishte besuar në kualifikim në fazën e grupeve pasi që ishte diçka e papritur.

Në emisionin “Zona Gol” në “SuperSport”, para ndeshjes me Slavia Prague, Gripshi foli për paraqitjen e skuadrës së Ballkanit deri tani në Ligën e Konferencës, pritjet që i kishte në këtë garë, situatën e kontratës së tij me klubin dhe analizoi kundërshtarin e sotëm.

Gripshi nuk do të paraqitet në përballjen e sotme kundër Slavia Pragues për shkak të lëndimit, raporton KosovaPress.

Sa i përket aventurës së Ballkanit në Ligën e Konferencës, Gripshi tha:

“Skuadra ka bërë shumë ndeshje të mirë në Turqi ndaj Sivasspor. Këtu prapë kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Mendoj se pas rasteve të humbura Sivasspori e morri situatën në dorë. Ekipi është në formë, shpresoj të bëjë një ndeshje të mirë. Për rikthimin shpresoj sapo të jem në formë do rikthehem”.

Po ashtu, Gripshi tha se nuk e priste kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

“Qëkur firmosa ishte Ilir Daja që më bindi, edhe Presidenti që donte të isha pjesë e Ballkanit. Cilësinë e kemi dhe eksperiencën. Shpresonim të bëjmë mirë, por që të hynim në grup jo vetëm unë po asnjë nuk e ka menduar këtë gjë”, tha Gripshi.

Më tej, ai foli edhe për situatën e kontratës së tij me Ballkanin, ku nuk hezitoi të pranojë që dëshiron të transferohet jashtë Kosovës.

“Kushdo që jep maksimumin te ky ekip besoj se e do një ekip jashtë, por për sa jemi pjesë e Ballkanit shpresoj të japim maksimumin për Ballkanin”, tha Gripshi.

Për fund, ai analizoi edhe kundërshtarin e sotëm, të cilin e cilësoi si më të vështirin që Ballkani e ka në grup.

“Kundërshtari është më i vështiri që kemi në grup, buxheti i lartë dhe lojtarët me eksperiencë, duhet të bëjmë detyrat që na ka caktuar trajneri dhe shpresoj të bëjmë një paraqitje të mirë”, tha Gripshi.

Me fillim nga ora 21:00 Ballkani e pret në stadiumin “Fadil Vokrri” skuadrën e Slavia Prague, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e pestë të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat