Kërkohet në Angli dhe Francë!

Futboll

Kërkohet në Angli dhe Francë!

Më: 15 tetor 2022 Në ora: 13:02
Kërkohet në Angli dhe Francë!

Me dëmtimin e Romelu Lukakut, barra e përgjegjësisë në fazën ofensive të Inter ka rënë e gjitha te Lautaro Martinez. Megjithatë, argjentinasi duket se po ia del me sukses të udhëheqë skuadrën mes kampionatit dhe Champions League teksa goli dhe asisti në Camp Nou në ndeshjen përballë Barcelonës, e konfirmojnë edhe më shumë lider të zikaltërve.

Por, protagonizmi mes të besuarve të trajnerit Simone Inzaghi rrit edhe kërkesat për sulmuesin, i cili në fakt prej kur është transferuar te Inter në vitin 2018, ka tërhequr pas vetes klube të mëdha, kujtojmë këtu këmbënguljen e Barcelonës para disa sezoneve.

Së fundmi është rradha e Manchester United me drejtuesit e “Djajve të Kuq” që kërkojnë të kenë në organikë një sulmues të mirëfilltë zone pasi Rashford apo Martial nuk garantojnë efikasitetin e duhur për këtë rol.

Duke marrë parasysh edhe faktin që Ronaldo pritet të largohet, atëherë 25-vjeçari është lojtari ideal për të luajtur në Old Trafford. Megjithatë, United nuk është i vetëm garë pasi për Lautaron po shtohet interesi edhe nga kampi i PSG. Parizienët kanë nisur të marrin masa rreth emrit që do të pasojë Kylian Mbappe që është me “valixhe” gati për t’u larguar nga Parisi.

Edhe në këtë rast, Lautaro është i duhuri. Gjithsesi, si Manchester United, po ashtu edhe PSG duhet të bëjnë llogaritë me faktin që sulmuesi ka një kontratë me Interin deri në vitin 2026 dhe për të bindur zikaltërit duhet ofruar një shumë e majme ndërsa edhe vetë Lautaro aktualisht është i lumtur në Milano dhe për ta larguar nga Italia, duhet një projekt i qartë fitues por edhe shumë fitimprurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat