Derbi italian në Premier League

Futboll

Derbi italian në Premier League

Më: 8 tetor 2022 Në ora: 12:47
Derbi italian në Premier League

Brighton kundër Tottenham, sfida e kësaj të shtunë në Premier League mbart edhe një derbi italian në stola, me Roberto de Zerbin që përballet me Antonio Conten, në një sfidë që dëshmon se teknikët italianë janë të vlerësuar në Angli. De Zerbi te Brighton mori vendin e Graham Potter, i cili kaloi te Chelsea pasi pagoi klauzolën me teknikun italian që impresionoi menjëherë.

Është një sfidë e papritur e zonës së lartë, me Brighton që është në vendin e katërt të klasifikimit, por ka luajtur një ndeshje më pak se Tottenham, që është 3 pikë më sipër në klasifikim. Ndeshja luhet këtë të shtunë në orën 18:30 në “American Express Community Stadium” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në SuperSport 3.

Brighton ndryshoi trajner, por nuk është se e ndjeu shumë pasi skuadra ishte autore e një paraqitjeje të madhe në “Anfield” kundër Liverpool, ku ishte në avantazh për një pjesë të ndeshjes, ku në fund të kuqtë arrin të rikuperonin duke barazuar 3-3. Tottenham ndërkohë po kalon një moment disi delikat, pasi pas disfatës në derbin me Arsenal, nuk ja doli të mposhtte Eintracht Frankfurt në Champions League duke ngecur në barazimin 0-0.

Për sa i përket statistikave, Brighton dhe Tottenham janë përballur 23 herë në kompeticionet zyrtare, 18 prej këtyre në Premier League, 3 në Kupën e Ligës dhe 2 në FA Cup. Bilanci në kompleks ju buzëqesh Spurs që kanë fituar 15 herë kundrejt 5 sukseseve të kundërshtarëve ndërsa 3 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Sezonin e kaluar u verifikuan dy fitore në transfertë, pasi Tottenham fitoi në Brighton 0-2 në fazën e parë, ndërsa në kthim Brighton i ktheu reston me suksesin 0-1. Interesant ndërkohë është dhe bilanci mes dy trajnerëve, pasi De Zerbi nuk e ka mundur kurrë Conten në duelin e stolave, duke marrë dy disfata dhe një barazim, mbetet për tu parë nëse do t’ia dalë kësaj here.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat